Situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe ka marrë vëmendjen e gazetës zvicerane “Tribune de Geneve” në gjuhën frënge, ndërsa ushtarët e kontigjentit zviceran të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë folur për gazetën rreth protestave të fundit të serbëve në veriun e vendit dhe mundësisë së përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
“Kur ka qindra apo mijëra njerëz, një shkëndijë e vetme mund të prishë gjithçka”, ka paralajmëruar komandanti i kontingjentit zviceran, Cyrus Wagner, duke shtuar se “duhet të jesh shumë i shpejtë në reagim”.
E oficeri zviceran i stafit të inxhinierisë civile në kuadër të KFOR-it, Jonas Doggart, ka thënë mes tjerash se “kur nuk ka protestues, atëherë mund të ketë eksplozivë”. “Zakonisht eksplozivët janë të dukshëm. Qëllimi i tyre nuk është të shkaktojnë lëndime, por për të treguar se për çfarë janë të aftë”.
Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione paralele të Serbisë. E mbyllja e tyre është kundërshtuar ashpër nga serbët lokalë, zyrtarët serbë dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Gjithashtu, tensionet janë rritur edhe më shumë pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë./Albanianpost.com