Rrëfimi i policit ukrainas që humbi tërë familjen nga granatimi i forcave ruse

“Në fillim, nuk mund ta shihja dëmin e shkaktuar në shtëpinë e Ivan Simorovit, e cila ndodhet në qytetin ukrainas të Borodyanka afër Kievit. Pastaj e kuptova arsyen që nuk pashë ndonjë gjë, pasi aty nuk kishte mbetur ndonjë shenjë që mund ti ngjasonte ndonjë shtëpie”, pohon gazetari James Waterhouse, i cili e intervistoi Ivanin.

“Ishte 26 shkurti, ishim duke biseduar në stacionin policor, kur papritmas dëgjuam një shpërthim të fuqishëm”, shton ai duke e rikujtuar momentin kritik.

Agresioni rus në Ukrainë kishte vetëm dy ditë që kishte filluar gjersa rusët kishin nën shënjestra të gjitha qytetet dhe fshatrat që ndodheshin afër objektivit kryesor, Kievit, raporton bbc.

“Toka filloi të dridhej, dhe unë menjëherë kapa telefonin dhe fillova t’i thërras të gjithë familjarët e afërt, gruan time, vëllain, babanë, nënën e gjyshen – asnjëri nuk përgjigjej. E kuptova se diçka e keqe kishte ndodhur”, deklaroi Ivani.

Ai i dëgjoi shpërthimet që u shkaktuan nga granatimet që veçse kishin filluar dhe e dinte se diçka kishte ndodhur. Megjithatë, nuk ia priste mendja se ishte goditur shtëpia e tij. U nis me veturë tek shtëpia e tij e cila ndodhej në Rrugën Tsentralna bashkë me shefin e policisë dhe disa kolegë tjerë, ku edhe ai e pa tragjedinë që kishte ndodhur.

“Horror. Luftë. Ishte e frikshme dhe e vështirë për tu kuptuar ajo se çfarë pash në atë moment. Shpresoja se kishin shpëtuar, ndoshta ishin fshehur në bodrum”, ishte përgjigja e Ivanit në pyetjen se si ndihej në momentin tragjik, shkruan gazetari.

Ivani humbi gruan, babanë, nënën, vëllain, gjyshen, dhe pas disa ditësh humbi edhe vajzën e tij, Polina, e cila nuk kishte arritur që t’u mbijetonte plagëve të marra nga shpërthimi.

 /Telegrafi/

Read Previous

Shtetet e QUINT-it përsëri me kërkesë ndaj Qeverisë për Manastirin e Deçanit

Read Next

Ministria e Financave tregon se kur do të dalin 100 eurot e Qeverisë për sektorin privat