Rrëfehet Joan Laporta – Nga borxhet e Barcelonës, te Super Liga pa klubet angleze

Presidenti i Barcelona-s, Joan Laporta ka dhënë një intervistë të gjatë për “RAC1”. Numri një i klubit katalanas trajtoi tema të ndryshme, nga situata ekonomiko-financiare e Barcelona-s dhe tema e Super League.

“Kur mbërritëm, patëm 500 milionë euro humbje dhe 1.5 miliardë euro borxhe. Me levat e tërhequra ne kemi arritur tashmë fitime pas vitesh humbjesh”, tha Laporta.

“Ne kemi ulur borxhin me La Liga-n nga 1.850 miliardë euro në 652 milionë. Kemi ulur kostot operative, kemi ulur faturën e pagave me 172 milionë. Më parë ishte 98% e të ardhurave, ndërsa tani është 57%. Në vitin e kaluar financiar morëm shifra pozitive falë levave dhe edhe këtë vit do të kemi rezultate pozitive”, sqaroi ai.

Më pas kalojmë te Nike, një temë e nxehtë këto ditë pas lajmit se Puma është gati të bëjë një ofertë milionere për klubin.

“Kemi shqetësime dhe një situatë jo ideale. Marrëdhënia është përkeqësuar, mendojmë se kanë shkelur kontratën. Për më tepër, tregu na paguan dyfish. Puma? Nuk themi emra. Ne po flasim me Nike”, tha kreu i Barcelona-s.

Laporta më pas nisi një sulm ndaj rivalëve historikë Real Madrid-it.

“Reali nuk po sillet mirë, ata po bëjnë një ushtrim cinizmi që nuk është i pranueshëm (për rastin Negreira). Ata që kanë qeverisur pushtetin mbi arbitrat, nuk mund të flasin shumë, të shikojnë kush kanë qenë për 70 vjet, drejtues apo partnerë të Real-it. Ata po bëjnë një ushtrim cinizmi që ne nuk e pranojmë”, vijoi Laporta.

Së fundi, kapitulli i Super League.

“Ne përpiqemi të konkurrojmë dhe të garantojmë me qëndrueshmëri. Mund të ekzistojë që në sezonin e ardhshëm, ose nga sezoni 2025-26. Të vijnë apo jo anglezët, nuk më intereson”, theksoi Laporta.

“Barça, Real, Inter, Milan, Napoli, Roma, Marseille, tre skuadra holandeze, Bruges dhe Anderlecht. Janë 16 apo 18 skuadra… Do të ishte më mirë me 16. Pak skuadra morën pjesë në Kupën Evropiane të 1955 dhe shikoni se çfarë kampionati është tani, gara për shkëlqimin në Evropë”, tha ndër të tjera kreu i Barcelona-s, Joan Laporta. /Albanianpost.com

Read Previous

49 aksidente brenda 24 orëve, mbi 2 mijë gjoba trafiku

Read Next

Ish-hakeri i CIA-s dënohet me 40 vjet burg