Rizvanolli takohet me Sveçlën dhe Sallahun, diskutojnë për luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka udhëhequr takimin për luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike. Në këtë takim kanë marrë pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu e të tjerë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli të premten e 18 nëntorit ka udhëhequr takimin për luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike ku kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës si dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS).

“Ministrja Rizvanolli ka thirrur këtë takim me qëllim të koordinimit ndërinstitucional për shmangien e humbjeve komerciale në shpërndarje të energjisë elektrike, apo vjedhjeve të energjisë elektrike. Sipas raportit vjetor të ZRrE-së, këto humbje në vitin 2021 kanë qenë 6.16% apo 386 GWh”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje në komunikatën për media thuhet se “me çmimet e importit të energjisë elektrike që pritet të mbretërojnë gjatë muajve në vijim, vazhdimi i një trendi të tillë të humbjeve komerciale mund t’i kushtojë vendit (konsumatorëve dhe buxhetit) më se 100 milionë euro gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit”.

Njoftohet se ministrja Rizvanolli u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për siguri dhe sundim të ligjit konform kompetencave të tyre ligjore, që duke pasur parasysh krizën energjetike në vend, të trajtojnë parandalimin dhe luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurinë e përgjithshme dhe të qëndrueshëm të furnizimit me energji në Kosovë.

“Gjatë takimit, ministri Sveçla ka potencuar që: “Luftimi i vjedhjeve të energjisë elektrike është temë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, pasi ngjarjet globale patjetër që ndikojnë në sigurinë energjetike, dhe energjia në siguri të vendit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi stabilitet energjetik, pasi është parakusht për stabilitet të sigurisë kombëtare.”

Ndërsa Këshilli Gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Shtetit e Policia e Kosovës kanë shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim rreth trajtimit të luftimit të vjedhjes së energjisë me prioritet të lartë.

Në komunikatën për media thuhet se pas takimit fillestar për koordinim, do të mbahen takime të radhës teknike për hartimin e planit të veprimit e për të identifikuar mënyrat specifike se si mund të luftohen vjedhjet e energjisë nga të gjitha institucionet relevante.

/Dukagjini/

Read Previous

Gjendje e mjerueshme në rrugën ‘’Skender Shehu’’, vërshimet përfshijnë sërish këtë pjesë

Read Next

Qerim Qerimi zgjidhet rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”