Rijetësohet ish-muzeu i Beratit, i shërben turizmit familjar

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ndau në rrjet pamjet e një prej banesave karakteristike të qytetit, pjesë e kompleksit ndërtimor të banimit të familjes Vrioni, në proces rijetësimi.

Bëhet fjalë për ish banesën e Izedin Galip Pashë Vrionit, sot e Nevin Godo (Vrioni), ku gjatë periudhës tetor-nëntor 1944, u vendos selia e Qeverisë Provizore Demokratike të Shqipërisë. Më pas kjo ndërtesë u kthye në muzeun e qytetit, ndërsa nga viti 1991-2011 aty zhvilloi veprimtarinë e saj medreseja “Vexhi Buharaja”.

Ajo përbëhet nga ndërtesa kryesore dykatëshe dhe ndërtesa e pasme njëkatëshe e shërbimit. Te ndërtesa dykatëshe, kati përdhe ka shërbyer për ambiente shërbimi, ndërsa kati i parë përbëhej nga ambientet e banimit të familjes, ato të pritjes së miqve dhe hamami. Ambienti më i dekoruar është dhoma e miqve, e cila është rikonstruktuar gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.

Pjesa tjetër e katit të parë ka pësuar ritrajtim në pamjen e jashtme të tij. Balli i saj është rindërtuar me teknikën e skeletit të drurit, në të cilën janë realizuar dritare të mëdha me korniza të suvatuara. Kati përdhe i pjesës qendrore të banesës është transformuar duke mbyllur hapësirat me qemer guri dhe duke realizuar dritare në muraturë guri. Këto ndryshime mund të jenë realizuar gjatë viteve 1912-1918.

Me restaurimin e viteve 2022-2024, kjo ndërtesë do të rijetësohet për kthimin e saj në njësi hotelerie për t’i shërbyer turizmit familjar./atsh/

Read Previous

Plani i menaxhimit të ish-burgut të Spaçit në Shqipëri

Read Next

45 vite më parë Thatcher u bë kryeministrja e parë e Mbretërisë së Bashkuar