Plani i menaxhimit të ish-burgut të Spaçit në Shqipëri

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij, Shqipëri (CHwB Albania) dhe Fondacionin “Santagata per l’Economia della Cultura” organizuan një dëgjesë publike në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të planit të menaxhimit të ish-burgut të Spaçit, nga më famëkeqët në kohën ne regjimit komunist në Shqipëri.

Ky plan menaxhimi është hartuar në bashkëpunim me ish-të burgosur, ekspertë të menaxhimit të objekteve kulturore, si dhe me dijen dhe ekspertizën e ofruar nga Qeveria Suedeze, CHwB Albania dhe Fondacioni “Santagata per l’Economia della Cultura”.

“Jemi të bindur që në Spaç po bëjmë diçka me të vërtetë unikale, pas një analize të detajuar të pasurisë kulturore, të vlerave dhe statusit të saj të ruajtjes, si dhe pas një raundi konsultimesh edhe me grupet e interesit që përfshinin më shumë se 50 individë” shkroi në rrjetet sociale Ministri i e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

“Nuk do të ndërmerren veprime për të rikthyer ndërtesat në gjendjen e mëparshme, siç kanë qenë kur u mbyll reparti i riedukimit në vitin 1991 (p.sh restaurimi i dyerve dhe dritareve, rindërtimi i ballkoneve, etj.)”, nënvizon Gonxhja. Por, shton ai, do të kryhen punime konservimi, për t’i ruajtur ato në mënyrë të tillë që të dëshmohen këto tre dekada në të cilat shoqëria shqiptare është përpjekur të pajtohet me historinë e saj më të fundit dhe të dhimbshme, në të cilën shenjat e kalimit të kohës mbi ndërtesa janë gjithashtu një metaforë për një distancim nga kujtesa e vendit ose rrezik për humbje të kësaj kujtese.

Plani i menaxhimit të ish-burgut të Spaçit ka për qëllim ruajtjen e këtij monumenti si vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe të akteve të shumta të rezistencës së qytetarëve shqiptarë, përqasjet për realizimin e muzeut të kujtesës, mekanizmat e organizimit dhe implementimit të një strukture të përshtatshme menaxhuese të sitit, etj./RTSH/

Read Previous

Suedia shton sigurinë ndërsa përgatitet për Eurovizion

Read Next

Rijetësohet ish-muzeu i Beratit, i shërben turizmit familjar