Rënia e Vëllaznimit nga Superliga, Fetahu: Ka pasur një lëshim teknik nga ana jonë si federatë për këtë çështje

Debati rreth rënies së Vëllaznimit nga elita e basketbollit kosovar dhe mënyrës së renditjes në Superligën e basketbollit të Kosovës ka nxitur reagime të forta nga akterët kryesorë, duke hapur diskutime për interpretimin e rregullave dhe përputhshmërinë e tyre me standardet ndërkombëtare.

Rasti i Vëllaznimit është kthyer në një çështje të ndjeshme, ku përplasja mes propozicioneve vendore dhe rregullave të FIBA-s ka prodhuar paqartësi dhe pakënaqësi.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka folur për KosovaPress rreth kësaj çështje, ku ka sqaruar situatën duke theksuar se në fund të stinorit tri skuadra kishin pikë të barabarta, çka e bëri të domosdoshëm interpretimin e kritereve shtesë për renditje.

Ai ka bërë të ditur se ndonëse propozicionet e garave parashihnin që në raste të tilla të merrej për bazë koshaverazhi, në fund ka mbizotëruar interpretimi sipas rregullave të FIBA-s, ku prioritet ka raporti fitore-humbje mes ekipeve.

“Ajo që ka ndodhur, ndoshta për ata të cilët nuk janë edhe aq shumë në ngjarje lidhur me këtë temë, është se ne kemi pasur tri ekipe në fund të stinorit me numër të njëjtë të pikëve. Domethënë numër të njëjtë të fitoreve dhe të humbjeve, kur shikohet krejt renditja tabelare, e që kanë qenë Prishtina, Vëllaznimi dhe Rahoveci. Edhe kemi pasur një situatë në propozicionet e garave tona, të cilat i kemi miratuar për këtë stinor, i cili ka thënë që nëse ka më shumë se dy ekipe me numër të njëjtë të pikëve, duhet të shikohet koshaverazhi mes tyre. Po të shikohej koshaverazhi mes tyre, atëherë Vëllaznimi jo që do të shpëtonte nga rënia prej ligës, por do të ishte në play-off. Ndërsa do të binte Rahoveci. Megjithatë, është situata tjetër brenda propozicioneve të garave, e cila thotë që në rast se ka diskrepancë apo mospërputhje mes propozicioneve të garave të cilat i miraton Federata e Basketbollit dhe rregullave zyrtare të basketbollit që i miraton FIBA, atëherë duhet të vlejnë dispozitat e FIBA-s. Në këtë rast, domethënë, përshkrimi i cili është bërë në propozicionet e garave nuk ka qenë në përputhje me atë që është bërë në rregullat e FIBA-s, sepse rregullat e FIBA-s thonë që në rast se ka më shumë se dy ekipe që kanë numër të njëjtë të pikëve në përfundim të një gare, atëherë gjëja e parë që shikohet është propozicioni, ose relacioni mes tyre fitore-humbje. Në këtë rast, për shkak të relacionit fitore dhe humbje, para se të kalojmë te koshaverazhi. Në këtë rast për shkak të interpretimit të kësaj dispozite, Vëllaznimi ka qenë ai që ka rënë prej ligës, që është vërtet një situatë hipotetike, e cila nuk është që ndodh shpesh, por nuk është që nuk ka ndodhur edhe në të kaluarën”, deklaroi Fetahu.

Fetahu ka pranuar se nga ana e federatës ka pasur një lëshim teknik që ka krijuar konfuzion tek klubet.

Ai ka theksuar se ky interpretim fillimisht ishte konfirmuar, por më pas ishte korrigjuar brenda së njëjtës ditë, duke shtuar se megjithatë ekipet kanë qenë në dijeni për mënyrën përfundimtare të vendimmarrjes para zhvillimit të ndeshjeve vendimtare.

“Megjithatë, duhet pranuar që ka pasur një lëshim teknik, për shkak se ky interpretim i cili ka qenë në propozicionet e garave, është konfirmuar edhe prej Komisionit të Garave si një prej formave me të cilat do të rregullohet kjo çështje, pastaj është korrigjuar brenda të njëjtës ditë. Por, e kuptoj Vëllaznimin për ankesën të cilën e ka dërguar, për shkak se vetë prej Federatës së Basketbollit të Kosovës është shkaktuar hutia, ndoshta prej organeve të federatës. Megjithatë, është zgjidhur kjo përfundimisht edhe para se të zhvillohej kjo ndeshje dhe e kanë ditur edhe Vëllaznimi edhe ekipet e tjera se si do të interpretohet në fund kjo punë, sepse nuk ka mundësi tjetër të interpretohen ndryshe fare”, vijoi tutje Fetahu.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i KB Vëllaznimit, Egzon Doli, ka paraqitur një qëndrim kundërshtues ndaj vendimeve të federatës, duke u bazuar në dispozitat që i japin autonomi federatave kombëtare për të rregulluar garat e tyre.

Ai ka theksuar se sipas propozicioneve të miratuara për këtë sezon, në rast të barazimit mes tri skuadrave kriter vendimtar duhet të ishte vetëm koshaverazhi, i cili në këtë rast ishte në favor të Vëllaznimit.

“Në nenin nëntë, paragrafi një të statutit të FIBA-s parashihet se shtetet anëtare, në këtë rast edhe Kosova, kanë autonomi të plotë në përcaktimin e rregullave dhe në qeverisjen e garave basketbollistike në vendet e tyre. Duke u nisur nga kjo rregullativë, Kosova, përmes organeve kompetente, në këtë rast përmes bordit të FBK-së, ka nxjerrë një propozicion të garave. Propozicioni i garave për vitin e sivjetëm, përkatësisht neni 47 paragrafi një pika katër, parasheh decidivisht që në momentin kur së paku tre klube, siç është situata aktuale ndërmjet klubit të basketbollit Vëllazimi, Prishtinës dhe klubit të basketbollit Rahoveci, kanë pikë të barabarta, i vetmi kriter do të thotë termi që përdoret është vetëm koshavrazhi bën diferencën përsa i përket tabelës së klasifikimit. Në rastin konkret, koshavrazhi është në anën pozitive të klubit të basketbollit Vëllazimi. Ne kemi parashtruar një ankesë pranë Federatës së Basketbollit, pranë komisionit për ankesa dhe arbitrazh. I njëjti organ ka refuzuar ankesën, ndaj të njëjtit vendim për refuzimin e ankesës, në afatin ligjor unë si avokat i klubit kam parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë tek bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe bordi çuditërisht brenda një periudhe tejet të shkurtër me një vendim direkt nga kryetari i federatës ka nxjerrë refuzues”, tha Doli.

Në fund, Doli ka bërë të ditur se klubi nuk do të ndalet me procedurat aktuale dhe do ta ndjekë çështjen në instanca më të larta, përfshirë arbitrazhin sportiv dhe gjykatat kompetente, me synimin për të siguruar zbatimin e ligjshmërisë në këtë rast.

“Siç e kemi paralajmëruar edhe në prononcimet e tjera, do të thotë këtë çështje do ta ndjekim edhe pranë Këshillit të Arbitrazhit Sportiv dhe gjykatave kompetente në mënyrë që të vihet në zbatim ligjshmëria siç edhe jemi duke e kërkuar në rastin konkret”, bëri të ditur Doli. /KosovaPress/

Read Previous

Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit

Read Next

Ministri i Jashtëm i Belgjikës: Rruga evropiane e Kosovës meriton vëmendjen dhe mbështetjen tonë