Reagojnë ShBA, BE, EULEX: Shqetësime pas shpërthimit në Mitrovicë të Veriut


Mbrëmë në “Lagjën e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut është dëgjuar një shpërthim. Lajmi më pas u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës, ndërkohë, gjatë ditës së sotme ka pasur shumë reagime nga komuniteti ndërkombëtar.

Zëvendëdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, lidhur me këtë shpëthim tha që dyshohet se ndodhi si pasojë e një granate të dorës.

“Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar dyshohet se kemi të bëjmë me shpërthim të granatës së dorës M75.” – u shpreh ai.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se ky rast mund të jetë i lidhur me arrestimin e tre serbëve të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës.

“Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës.” – tha ai.

Sipas Sveçlës, një situatë e tillë erdhi si shenjë revolte nga grupe kriminale, derisa më pas u shpreh si vijon:

“Inspirimi, mbështetja dhe urdhëri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës.

Reagon edhe komuniteti ndërkombëtar

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, u shpreh i tronditur duke u bërë thirrje autoriteteve për hetim.

“I tronditur thellë kur lexova raportet e mjeteve shpërthyese të përdorura në shumë pjesë të Kosovës. Ne i dënojmë këto akte dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të kryejnë një hetim të plotë dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë.” – tha ai.

Bashkimi Evropian ndërkaq, përmes zëdhënësit Peter Stano u shpreh që po e ndjekin situatën me shqetësim.

“Jemi të shqetësuar për vazhdimin e situatës ku nuk ka de-eskalim të tensioneve. Dëshiroj që ta ripërsërisë se jemi duke përcjellur me shqetësim situatën dhe do të reagojmë me kohë nëse kjo gjë do të jetë e nevojshem.” – tha Stano në konferencën e tij të rregullt ditore për gazetarë.

Shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano u shpreh se incidente të tilla tregojnë nevojën urgjente për deeskalim të situatës në veri të Kosovës, derisa dënoi rastin.

“Plotësisht dakord me Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë. Incidente të tilla tregojnë se sa e paqëndrueshme është situata dhe nënvizojnë nevojën urgjente për të de-përshkallëzuar. EULEX-i dënon çdo formë dhune si të papranueshme.” – ka shkruar ai në Twitter./Sinjali

Read Previous

Nis stina e vjeshtës, parashikimi i motit për fundjavë

Read Next

Sulm me raketa, një i vrarë dhe 31 të plagosur