Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile nga Zyra Operacionale e Situatës në Kryeministri, ku u bë një përditësim i situatës së krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut.
Rama u shpreh se bëhet fjalë për një gjendje atmosferike të zgjatur dhe të rëndë, e cila nuk ka prekur vetëm Shqipërinë dhe nuk lidhet me arsye të brendshme apo debate politiko-mediatike.
“Kjo gjendje nuk ka prekur Shqipërinë për ndonjë arsye që lidhet me vendin tonë apo me ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politiko-mediatike në mjedisin shqiptar. Ajo ka prekur një hartë të tërë, nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë, deri në Serbi e Kroaci, nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë dhe të njëjtat përmbytje e bllokime kanë krijuar një situatë të rënduar për njerëzit”, tha Rama.
Kryeministri shpjegoi se një masë ajri i ftohtë nga veriu është përplasur me ajër të ngrohtë dhe të lagësht nga Mesdheu, duke krijuar një vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, e cila ka sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura shumë të ulëta.
“Për këtë arsye lumenjtë rriten sërish para se të bien, toka mbetet e ngopur me ujë dhe reshjet e shiut dhe të dëborës marrin përmasa krejtësisht anormale”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por edhe stinë të çrregullta, sisteme atmosferike më të ngadalta dhe më të paparashikueshme, si dhe mot gjithnjë e më ekstrem dhe këmbëngulës në ekstremitetin e tij.
“Më shumë thatësira dhe më shumë zjarre, më shumë vorbulla atmosferike dhe më shumë përmbytje, ky është tashmë kuadrati i ri i klimës ku jetojmë, e cila nuk është më klima me të cilën jemi rritur”, theksoi Kryeministri.
Në këtë kontekst, Rama theksoi se sjelljet e papërgjegjshme njerëzore e përkeqësojnë më tej situatën.
“Kur vazhdojmë t’i hedhim mbeturinat rrugëve ose kur vazhdojmë t’u vëmë zjarrin pyjeve, pasojat e këtij ndryshimi klimatik rëndohen edhe më shumë, ashtu siç ndodhi në Shkozet dhe jo vetëm, ku prurjet marramendëse të plastikës të mbledhura nga lumenjtë e dalë nga shtrati bllokuan kanalet e mëdha kulluese”, u shpreh Rama. /ATSH/