Qeveria do të ndajë nga 100 euro për studentët dhe shtesa për ata që udhëtojnë

Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë 26 milionë euro për studentët. Ajo ka miratuar ndarjen e nga 100 eurove për të gjithë studentët, gjithashtu edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, për t’i mbështetur ata që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.

Ky vendim është marrë kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se përderisa formimi i institucioneve të reja po mbahet pezull, sipas tij, ekonomia po rritet.

Ekonomia ka shënuar rritje prej 4.58 për qind të brutoproduktit vendor në tremujorin e dytë, sipas Kurtit.

Ka shtuar se edhe të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin paraprak.

“Tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetaret. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai.

Ndërkohë ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se për këtë masë janë ndarë 26 milionë euro.

“Nga 100 euro mbështetje e njëhershme me rastin e fillimit të vitit akademik. Lansimi i programit Bursa e Mobilitetit për Studentët”, ka shkruar ai në Facebook. /Koha.net/

Read Previous

Qeveria ndan 2.5 milionë euro për përmbylljen e rimbursimit për tekstet shkollore

Read Next

Çiftelia, pjesë e ‘himnit të ri’ të Evropës