Qeveria deklarohet rreth protestave të punëtorëve shëndetësor

Punëtorët shëndetësorë kanë protestuar për të kërkuar rregullimin e gjendjes së tyre sociale përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe zbatimin e tij nga janari 2022.

Menjëherë pas kësaj proteste, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se janë duke punuar në hartimin e Projektligjit për Pagat.

“Grupi punues aktualisht është duke punuar në Projektligjin për Pagat, i cili pasi të hartohet do të dërgohet për konsultime paraprake dhe konsultime publike. Qeveria synon përgatitjen e një serie të dëgjimeve publike, me qëllim që ky Ligj të hartohet në mënyrë të duhur dhe të zgjidhë problemin në term afatgjatë”, tha Kryeziu.

Ai ka shtuar se ky Ligj i miratuar gjatë Qeverisë së kaluar ka krijuar pabarazi të mëdha.

“Ligji për Paga në sektorin publik është ndër ligjet me komplekse në agjendën tonë legjislative. Ligji i miratuar nga Qeveria e kaluar kishte krijuar pabarazi të mëdha, dhe si rrjedhojë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka ngushtuar terrenin për hartimin e këtij Ligji. Këto janë arsye shtesë pse hartimi i këtij Ligji kërkon më shumë kohë, në mënyrë që të adresohen gabimet e kaluara që kanë krijuar pabarazi, por edhe që Projektligji i ri të jetë në përputhshmëri me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Sipas Kryeziut, pagat në këtë sektor janë të rregulluara me një numër të madh të akteve ligjore dhe me këtë janë krijuar situata konfuze.

“Aktualisht pagat në sektorin publik janë të rregulluara me një numër të madh të akteve ligjore dhe nënligjore të ndryshme, dhe kjo ka krijuar për vite një situate konfuze. Prandaj ne tani jemi duke u angazhuar maksimalisht për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë”, ka përfunduar Kryeziu.

/Telegrafi/

Read Previous

Mehaj në Kroaci, kërkon pranimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut

Read Next

Qentë endacak, kërkohet zgjidhje e përbashkët nga niveli qendror dhe lokal