Qeveria britanike: Mbi 40,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit

Mbi 40 mijë emigrantë kanë kaluar Kanalin me varka të improvizuara për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është shifra zyrtare e publikuar nga Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Sipas të dhënave të qeverisë, dje 972 persona kaluan kanalin me 22 varka të vogla, duke e çuar totalin për vitin në 40,885 persona.

Asnjëherë më parë nuk janë parë kaq shumë emigrantë, kryesisht shqiptarë, iranianë dhe afganë, që kanë kryer kalimin e rrezikshëm.

Në të gjithë vitin 2021 janë regjistruar 28.526 kalime. Këto shifra në rritje po ushtrojnë presion mbi qeverinë pasi konservatorët e kanë bërë luftën kundër imigracionit një prioritet kryesor pas Brexit dhe sistemi i azilit është më i mbingarkuar se kurrë.

Çështja është një pikë mosmarrëveshjeje me Parisin, megjithëse të dy vendet njoftuan në një deklaratë të përbashkët të premten se po “bëjnë përparim” në gjetjen e një marrëveshjeje të re për këtë çështje. Britania e Madhe thuhet se është e gatshme t’i paguajë Francës 80 milionë paund (91 milionë euro) më shumë për të siguruar mbikëqyrje më të madhe në plazhet franceze, ndërsa agjentët britanikë do të kenë akses në qendrat e kontrollit francez./A2news/

Read Previous

Kur parashihen reshje shiu në Gjakovë

Read Next

Ministrat e G20-s me fond miliardësh për pandeminë