Osmani njofton për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Kosovë më 22-23 tetor

Në komunikatë për media nga Zyra e Presidencës, thuhet se Forumi do të organizohet me iniciativë të presidentes Osmani.

Me temën “Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme”, ky forum ndërkombëtar ka për qëllim të reflektojë mbi sukseset dhe sfidat e kësaj axhende 22 vite pas miratimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtësore në procese të paqes dhe sigurisë.

Ky edicion i parë i Forumit do t’i dedikohet trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-ve, Madeleine Albright. Forumi do të sjellë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, e personalitete përgjegjëse për zbatimin e kësaj axhende.

Organizimi i këtij Forumi ndërkombëtar është një ndër zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci. Forumi synon të përçojë qartë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtyllat qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel vendor, rajonal dhe global.

Forumi GPS do të zhvillohet në një kohë kur paqja, liria dhe siguria po sulmohen në zemër të Evropës, teksa gratë e vajzat sërish janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Forumi do të fokusohet në “Ndërtimin e aleancave për paqe të qëndrueshme” dhe do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra nga përvojat e vendeve pjesëmarrëse, zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të balancuara gjinore, si dhe hartimin e kornizave të reja të veprimit në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të arkitekturës së sigurisë dhe paqes në Evropë e më gjerë, thuhet në komunikatë.

Forumi organizohet në bashkëpunim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, si dhe mbështetet nga partnerë lokal e ndërkombëtar.

/klankosova.tv/

Read Previous

​Në vitin 2021 është shënuar rekord i ngritjes së numrit të lëndëve kontestimore të pazgjidhura

Read Next

Goditet banda shqiptare në Spanjë, dalin pamjet e operacionit