Presidentja Osmani mohon se mbrojtja e afërt e saj arrestoi dje gazetarin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se është gënjështër që dje mbrojtja e afërt e ka arrestuar gazetarin.

Ajo tha se “nuk ka bërë kërkesë dhe as nuk do ta bëjë kurrë” që të arrestohet i njëjti.

“Dje u publikua edhe një gënjeshtër që kinse policia qëndron në klasën ku ato marrin mësim, kjo është një gënjeshtër e pastër. Do të ishte çmenduri nëse unë si prind do të kërkoja një gjë të tillë. Vajzat e mia për pesë vjet kanë qenë në shkollën publike Ismail Qemali dhe po ashtu një gënjeshtër që dje u publikua se ato kanë marrë mësim veçmas, edhe kjo një gënjeshtër e kulluar. Ato nuk kanë mbajtur mësim ndaras. Gënjeshtra tjetër që u publikua dje që mbrojtja ime e ka arrestuar gazetarin, por dje mbrojtja e afërt nuk e ka arrestuar, ata nuk arrestojnë gazetar, ata kanë qenë në krye të detyrës zyrtare. Njëkohësisht ju e dini që inçizimi i paautorizuar është vepër penale, ju e dini që në kodin e etikës së mediave të shkruara është ndalimi i incizimit të paautorizuar nën moshën 18 vjeçare.

Sipas saj, ajo ka marrë me dhjetëra kërcënime dhe se për herë të parë në histori të vendit nuk është arrestuar askush.

“Ka një kërcënim që ka ardhur nga serbët në Twitter dhe shumë e shumë kërcënime të tjera që zakonisht drejtohen për fëmijët e mi. është hera e vetme që në historinë e Kosovës, nuk kanë marrë asnjë masë. Ju e dini që shumë mirë që çdo politikan kur kërcënohet i shohim shumë shpejt të akuzuarit para gjykatës. Dhe unë i përgëzoj institucionet që bëjnë një gjë të tillë, mirëpo është hera e vetme që në historinë e vendit tonë që një president ka dhjetëra kërcënime dhe asnjë person nuk është arrestuar”, deklaroi ajo.

Osmani reagoi dje pas arrestimit të kamermanit i cili u tha se xhiroi fëmijët e presidentes në shkollë.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe AGK e cila dënoi mbajtjen që e cilësoi si të paligjshme nga Policia e Kosovës.

“AGK-ja e dënon mbajtjen e paligjshme për disa orë të Mujit nga Policia e Kosovës, dhe do të kërkojë hetime nga Inspektorati Policor i Kosovës.”, thuhet në reagimin e AGK-së. /KosovaPress.

Read Previous

Edi Rama zbulon sot përbërjen e qeverisë së re

Read Next

Aktakuzë për spiunazh ndaj një personi, paguhej për informatat që i jepte BIA-s