Giorgia Meloni arsyeton ndalimin e burkës në shkollat e Italisë
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka kritikuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për publikimin e informacionit se dy ushtarë të Koresë së Veriut, të kapur nga forcat ukrainase, janë transferuar në Korenë e Jugut.
Zelensky e bëri të ditur transferimin gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 23 shtator, duke thënë se Ukraina së fundmi kishte dërguar dy të burgosur lufte të Koresë së Veriut në Korenë e Jugut. Ai shtoi se njëri prej tyre kishte tentuar të vetëvritej pas kapjes.
Lee tha se publikimi i këtij informacioni ishte në kundërshtim me marrëveshjen për ruajtjen e konfidencialitetit mes Seulit dhe Kievit. Sipas tij, çështja është veçanërisht e ndjeshme për shkak të ndikimit të mundshëm në diplomaci, sigurinë kombëtare dhe situatën në Gadishullin Korean.
Presidenti koreano-jugor tha se qeveria e tij kishte zgjedhur ta mbante transferimin sekret pasi kishte vlerësuar se publikimi mund të sillte pasoja të shumta. Ai hodhi poshtë kritikat se autoritetet po përpiqeshin të fshihnin diçka dhe theksoi se siguria e personave të përfshirë dhe interesat shtetërore ishin konsideruar më të rëndësishme.
“Unë nuk e di se cilat ishin rrethanat nga ana e Ukrainës kur u publikua informacioni, por më vjen shumë keq”, tha Lee, duke iu referuar drejtpërdrejt vendimit të Kievit për ta bërë publik transferimin.
Dy ushtarët koreano-veriorë ishin kapur nga forcat ukrainase në rajonin e Kurskut në janar 2025, pasi ishin dërguar atje për të mbështetur trupat ruse. Ata kishin shprehur më herët dëshirën për të shkuar në Korenë e Jugut, ndërsa Seuli dhe Kievi kishin zhvilluar konsultime për transferimin e tyre.
Zyra presidenciale ukrainase më pas deklaroi se transferimi ishte realizuar përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me Seulin. Ndërkohë, autoritetet koreano-jugore kanë shmangur dhënien e detajeve për kohën, mënyrën dhe rrugën e transferimit, duke përmendur sigurinë e personave të përfshirë