Policia arreston një shtetas të Serbisë, dyshohet për mashtrim milionësh me prona

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Vërmicë është arrestuar një mashkull, shtetas i Serbisë, i dyshuar se, në bashkëpunim me persona të tjerë të cilët u arrestuan gjatë javës së kaluar, ka kryer veprime të kundërligjshme, përfshirë falsifikimin e dokumenteve dhe pasaportave.

“Përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara, të dyshuarit kanë arritur të tjetërsojnë dhe shesin një sipërfaqe toke, duke mashtruar blerësin dhe duke përfituar shumën prej 1,578,180.00 euro. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Ndërkohë në komunën e Podujevës është raportuar se një person kishte hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në Kosovë. Ai është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti është duke u hetuar.

Në Kamenicë, një viktimë mashkull ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit dhe i është ofruar ndihma mjekësore. Në lidhje me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë.

“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i treti, i dyshuar për veprën penale “moslajmërim i veprës penale”, është liruar në procedurë të rregullt. Arma e zjarrit është konfiskuar dhe rasti mbetet nën hetime”.

Në Fushë Kosovë, një person ka raportuar se, pas një fjalosjeje, është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar, i cili i ka shkaktuar lëndime trupore.

Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe ka konfiskuar një mjet të fortë të dyshuar si mjet i përdorur në sulm. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërsa viktima ka marrë trajtim mjekësor.

Në rajonin e Istogut është arrestuar një i dyshuar mashkull pasi ka sulmuar zyrtarët policorë, me ç’rast një polic ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar edhe katër raste të dhunës në familje në rajone të ndryshme të vendit.

Në komunën e Prishtinës, ankuesi mashkull ka raportuar se në vazhdimësi është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga një e dyshuar femër. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Obiliq, një i dyshuar mashkull është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht viktimën, e cila ka marrë ndihmë mjekësore. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Ndërsa në Pejë është arrestuar një i dyshuar mashkull pasi ka sulmuar fizikisht një viktimë mashkull. Po ashtu, gjatë intervenimit, i dyshuari ka sulmuar edhe një zyrtar policor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Leposaviq është arrestuar një i dyshuar mashkull, i cili dyshohet se ka tentuar të sulmojë një femër. Nuk raportohet për lëndime trupore. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka bërë të ditur se rastet mbeten nën hetime. /Albanianpost.com

Read Previous

“Barazim me shije humbjeje” – Vedat Muriqi flet pas ndeshjes ndaj Villarrealit

Read Next

Rriten çmimet e naftës pasi Trump hodhi poshtë propozimin iranian