Kosova e ka rritur ndjeshëm numrin e sportistëve në Lojërat Mesdhetare. Në Oran të Algjerisë në vitin 2022 ishin 38 sportistë kosovarë. Në Taranto të Italisë janë plot 163 sportistë nga Kosova.
Rezultatet e deritashme kanë dëshmuar se edhe niveli mesdhetar është i papërballueshëm për shumicën e sportistëve në vend. Jo edhe për xhudistët e kryemjeshtrit Driton Kuka.
Derisa pak prej sportistëve apo ekipeve të Kosovës kanë shënuar ndonjë fitore, xhudistët i kanë fituar plot pesë medalje. Dhe kështu kanë mbajtur standardin që Kuka e ka vendosur shumë vjet më parë.
Garat e xhudos përfunduan të shtunën, ndërsa Kosova, ashtu si pritej, ishte e suksesshme. Medalje të argjendtë fitoi Laura Fazliu, kurse medalje të bronzta fituan Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Flaka Loxha e Fatjona Kasapi.
Në të gjitha sportet e tjera Kosova e ka vetëm një medalje – të artën e boksieres Donjeta Sadiku.
Ka shumë faktorë që e bëjnë shumë të rëndësishëm bilancin e xhudos kosovare në “Taranto 2026”. Në fakt ekipi i kryemjeshtrit Kuka i takon nivelit dukshëm më të lartë se ai i Lojërave Mesdhetare. Nxënësit e Kukës fitojnë rregullisht medalje në Kampionate Botërore e Evropiane, por edhe në garat e tjera të xhudos si Masters, Grand Slam e Grand Prix. Në të gjitha këto gara konkurrenca është më e fortë se në Lojëra Mesdhetare.
Megjithatë për ekipin e xhudos rëndësi ka edhe kjo ngjarje shumësportëshe. Dhe xhudistët e respektojnë maksimalisht, ndër të tjera duke sjellë medalje për vendin.
Të premten e të shtunën u fituan medalje të shumta, ndonëse mungoi aduti kryesor, sportistja më e mirë në vend, Distria Krasniqi. Pos kësaj ekipi i xhudos është në proces të gjatë e sfidues të ndërrimit të gjeneratës. Disa prej xhudistëve janë duke u kthyer në formën më të mirë pas lëndimeve jo të lehta. Gjitha këto i bëjnë shumë të rëndësishme medaljet e xhudos në Taranto.
“Jam i kënaqur me medaljet. Mungesa e Distria Krasniqit solli pak nervozënë ekip, sidomos në fillim të garës. Por pesë medalje e dy vende të pesta janë rezultat i shkëlqyeshëm. Personalisht mendoj se secili prej tyre ka pasur edhe më shumë për të treguar”, ka thënë për KOHËN trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Ai e di që ky nuk është maksimumi i ekipit që drejton. Medaljet në ngjarjet më të mëdha, duke përfshirë tri edicionet e fundit të Lojërave Olimpike, e dëshojmë këtë.
Shtatë xhudistë përfaqësuan Kosovën në Lojëra Mesdhetare. Në vend të pestë përfunduan Dardan Cena e Erza Muminoviq.
“Gëzim i veçantë për mua janë medaljet e meshkujve, të fituara në një konkurrencë të fortë. Akili e Shpati morën medalje, kurse Dardani shkëlqeu, ndonëse mbeti i pesti”, ka theksuar Kuka.