Pjesëmarrja në dasma/ A do t’u kërkohet edhe mërgimtarëve dëshmia e vaksinimit?

Qytetarët që duan të marrin pjesë në dasma, të shkojnë në lokale nate e qendra tregtare, do të duhet që të kenë një dëshmi se janë të vaksinuar së paku me një dozë të vaksinës anti-COVID, në mënyrë që t’u lejohet hyrja. Por, a do të jetë ky kusht edhe për mërgimtarët?

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka njoftuar se dje kanë mbajtur një takim me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, pas rritjes së numrit të rasteve gjatë ditëve të fundit.

Në fund të këtij takimi, ata kanë dalë me një vendim. Nga data 20 gusht, çdo qytetari që dëshiron të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare, do t’i kërkohet dëshmi që është vaksinuar.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, ka njoftuar Oda.

Një dëshmi e tillë do t’iu kërkohet edhe mërgimtarëve.

Këtë e ka konfirmuar Drejtori i Odës së Hotelerisë dhe Turizimit, Hysen Sogojeva.

“Po, sa të qëndron këtu në Kosovë vetëm me ligje të Kosovës”, është përgjigjur Sogojeva, kur është pyetur nëse kjo vlen edhe për mërgimtarët.

Ndryshe, në takimin e mbajtur dje është vendosur edhe që t’u zgjatet orari klubeve të natës.

“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektorëve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit.  Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate. Këto vendime priten të hynë në fuqi me datë 11.08.2021”, thuhet në njoftimin e Odës.

Takim me Ministrin e Shëndetësisë kanë mbajtur edhe Shoqata e Gastronomëve.

Nga kjo shoqatë kanë thënë se kanë parë të nevojshme që nga java e ardhshme punëtorët e këtij sektori të pajisen me certifikatë të vaksinimit./gazetasinjali

Read Previous

Afër 109 mijë euro pensione u paguan për personat e vdekur

Read Next

Shuhen 163 vatra zjarri në Shqipëri