Pioli nuk e përjashton largimin nga Milani pas eliminimit nga Liga e Evropës

Trajneri i Milan-it, Stefano Pioli nuk garanton se do të qëndrojë në krye përtej verës dhe u thotë gazetarëve të jenë të durueshëm dhe të presin fundin e sezonit.

Pioli është nën kritika pas eliminimit të Milan-it nga çerekfinalja e Europa League nga Roma.

Raportet në Itali kishin pretenduar se trajneri italian do të shkarkohej në fund të sezonit nëse ai nuk do të kualifikohej në gjysmëfinale.

Prandaj, gazetarët e pyetën atë mbrëmë në një konferencë për shtyp pas ndeshjes se çfarë do të thoshte humbja e Milan-it kundër Roma-s për të ardhmen e tij.

“Jini të durueshëm dhe prisni fundin e sezonit. Në atë pikë, klubi dhe unë do ta diskutojmë”, u përgjigj trajneri i lindur në Parma.

“Vlerësimet duhet të bëhen në fund të sezonit edhe nëse rezultatet në Evropë do të ishin më të këqija se sezonin e kaluar”.

“Ne kemi ende kampionatin, ku mund të bëjmë shumë më mirë se sezonin e kaluar”, vijoi Pioli.

Milan-i takohet me Inter-in në Derby della Madonnina të hënën dhe duhet të shmangë humbjen për t’i penguar zikaltërit të fitojnë matematikisht titullin kampion.

“Ne duhet të ndryshojmë shumë gjëra në derbi”, pranoi Pioli.

“Nëse luajmë siç luajtëm sonte (mbrëmë), sigurisht që nuk do të kemi shanse. Unë mendoj se djemtë janë të vetëdijshëm për këtë”, shtoi ai.

Kontrata e Pioli-t me Milan-in skadon në qershor 2025. Kuqezinjtë aktualisht janë në vendin e dytë në tabelën e Serie A, 14 pikë poshtë rivalëve të tyre të qytetit. /Albanianpost.com

Read Previous

Ambasada e ShBA-së në Kosovë i publikon numrat për raportimin e dhunës me bazë gjinore

Read Next

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës