“Përtej dhimbjes, drejt guximit”, libri me rrëfime mbi traumën e dhunës seksuale në luftë

“Përtej dhimbjes, drejt guximit”, kështu titullohet libri me rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë. QKRMT bashkë forumin ZFD kanë promovuar këtë libër në ditën ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale.

Shyrete Tahiri-Sylejmani, e cila është e mbijetuar e dhunës seksuale, me shumë emocion ka thënë se gjendja e të mbijetuarve nuk është e mirë. Ajo u ka bërë thirrje familjarëve të mbijetuarve qe të flasin hapur për atë çfarë ka ndodhur.

“Ne të gjithë e dimë se sa ende ka shumë punë për t’u bërë. E sidomos jemi shumë larg vendosjes së drejtësisë për krimet e kryera. Mbledhja e rrëfimeve kontribuon shumë në dokumentimin e krimeve por edhe në triumfin e drejtësisë. E rëndësishme është që familjarët të flasin hapur. Neve mund të na duket se libri është përmbledhje e rrëfimeve por jo por jo me ardh deri te ky guxim. Andaj ju lumtë atyre që kanë pranuar të rrëfejnë”, ka thënë ajo mes-lotëve.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka theksuar se këto gra duhet të jenë të sigurta, duke bërë thirrje që të krijohen mekanizma që lehtësojnë këtë situatë.

“Është në obligimin tonë që të sigurohemi dhe të krijojmë mekanizma që të dalim nga kjo situatë. Dokumentimi është tepër i rëndësishëm, fjalët e secilës nga të mbijetuarat janë tepër të rëndësishme”, tha ajo.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh se libri është dimension tjetër dhe prek traumën sekondare. Ajo ka shtuar se me këto rrëfime, kanë dashur t’ia rikujtojnë Kosovës se lufta nuk kurseu as burrat. /KosovaPress/

Read Previous

Benita Pula në “Miq në pasdite”

Read Next

Këta janë dy emrat e parë që pritet të emërohen ambasadorë