Përplasje, akuza e kundërakuza – Komisioni për Arsim përfundon pa zgjidhje për të dalë nga greva

Me mungesën e ikonës së grevave, Rrahman Jasharaj, por me shumë polemika e përplasje, ka përfunduar pa zgjidhje për sindikalistët mbledhja e Komisionit të Arsimit, ku morën pjesë përfaqësuesit e Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës përballë ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Në fillim të mbledhjes, ministri Murati ka prezantuar masa për përballjen me inflamacionit, e përmes të cilave sipas tij do të ndihmohen edhe mësimdhënësit. Po ashtu ai drejtoi akuza drejt Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës se kanë ndryshuar kërkesat e tyre dhe nuk e kanë njoftuar Qeverinë për ofertën e re.

Kjo u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, i cili tha se qasja e Muratit në diskutim, sipas tij tregon që nuk është i interesuar që të arrijnë një marrëveshje për të dalë nga grevat.

“Po duhet me thirr Muratin në mbledhje të anëtarësisë që e mbajmë çdo natë. Ju hala pa dalë me ofertën prej 50 euro, ne e kemi pyetur anëtarësinë. Ki qëllim mos me arrit marrëveshje. Lexoje drejt kërkesën për sigurimet shëndetësore. Qysh po diskuton ministër, nuk je për me arrit marrëveshje”, ka thënë Ymeri.

Fjalën e mori edhe ministrja Nagavci, e cila tha se të gjitha kërkesat e grevistëve, me përjashtim të kërkesës për shtesat e 100 eurove deri në zbatimin e Ligjit për Paga, janë adresuar.

“Pika e vetme ku unë dhe kolegët e mi nuk kemi arritur një mirëkuptim është kërkesa e parë që të përcaktohet një shtesë në vlerë prej 100 eurove. Ne kemi kërkuar që SBASHK-u të mos vijë me një kërkesë të tillë e cila pamundëson zgjidhjen e grevës”, ka thënë Nagavci.

Ajo bashkë me ministrin Murati kërkuan nga sindikalistët që të pranohet oferta prej 50 eurosh dhe të fillojë mësimi.

Një propozim për zgjidhje e dha edhe kryetari i Komisionit, Ardian Gola, i cili u tha SBASHK-ut që t’i përdorin notat si protestë sindikale, derisa të gjendet një zgjidhje mes Qeverisë dhe BSPK-së.

Por Këshilli Grevist nuk u shprehën të gatshëm të ndryshojnë qëndrim, pasi që sipas Ymerit, zbutja e masave të grevës do t’i jepte arsye edhe më shumë Qeverisë për mosreflektim. Megjithatë, ata i premtuan Golës se do ta diskutojnë propozimin e tij dhe madje do ta ftojnë në takimin e anëtarësisë.

E pati edhe nga ata që u detyruan ta lëshojnë mbledhjen, pasi nuk patën mundësinë që të marrin fjalën.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, u largua nga salla pasi kryetari Gola nuk e lejoi të marrë fjalën, me arsyetimin se duhet veç ata që janë anëtarë të këtij Komisioni.

‘’Qëllimi jem është më kontribu. Nuk kam ardhë me ju fy, linçu mirëpo. Ju si kryetar i Komisionit nuk duhet me bo marrëveshje me asnjë grup që e cenon punën time si deputet.’’, tha Rrahmani.

Deputetët e opozitës të pranishëm në mbledhje kanë bërë thirrje te të dyja palët e përfshira në këtë çështje të gjejnë një kompromis që nxënësit të kthehen në shkolla.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Ambasada Zvicerane i dorëzon Qeverisë së Kosovës platformën për punësimin e të rinjve

Read Next

Përfundon Samiti Digjital për Ballkanin Perëndimor