Përfundon konferenca në Hagë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve më 3 prill

Në Gjykatën Speciale në Hagë, më 3 prill, do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është konfirmuar të hënën në konferencën mbi ecurinë e çështjes të mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve “Kosova Press”.

Ky proces gjyqësor do të fillojë të hënën në orën 09:00 me deklaratat hyrëse ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë. Në konferencë është bërë e ditur se deklarata hapëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri në pesë orë.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi do t’i ketë tri orë për fjalën e saj hyrëse, ekipi i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli 45 minuta, mbrojtja e ish-deputetit të Vetëvendosjes Rexhep Selimi një orë, ndërsa ajo e Jakup Krasniqit një orë e gjysmë.

Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, ka kërkuar nga palët të respektojnë kohën, derisa ka theksuar se mbrojtësit duhet të përqendrohen në çështje që lidhen me akuzat dhe të njëjtit të shmangin deklaratat të natyrës politike.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 29 prill, ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”. /Albanianpost.com

Read Previous

Kosova fiton dy medalje në Kupën e Botës në boks

Read Next

Një rast i dhunës në familje në Kosovë zgjidhet mesatarisht pas 9 muajsh