Për vetëm dy muaj, Klinika e Kirurgjisë Torakale kreu 76 operacione

Për vetëm dy muaj, Klinika e Kirurgjisë Torakale ka arritur t’i kryejë 76 operacione, e cila tash e sa kohë operon me vetëm një sallë operative. Kjo klinikë ka të ndarë sallën e madhe dhe të vogël.

Këtë e ka bërë të ditur, drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci. Ai ka deklaruar se vetëm në sallën e vogël që kryen operacione me anestezion të shkurtër janë kryer 90 operacione, ndërsa në të madhën gjithsej 76.

Shkaku i komplikimeve dhe vështirësive i operacioneve në Torakale, ka bërë që të ketë numër kaq të vogël të operacioneve. Thotë se ka pasur ditë kur një operacion ka zgjatur tërë ditën.

“Tashmë jemi vetëm në fillim të vitit 2024 dhe gjatë këtyre dy muajve janë realizuar 76 operacione në sallën e madhe, janë realizuar gjithashtu në sallën e vogël 90 operacione ndërhyrje kirurgjikale me anestezion të shkurt. Kirurgjia torakale zakonisht realizon operacion me orë të tëra edhe kjo është e kuptueshme sepse numri i operacioneve që e thamë 76 është për arsye se ne kemi vetëm një sallë të operacionit edhe këto operacione zgjasin shumë shpeshherë kemi që një ditë shkon me vetëm një operacion prandaj edhe numri 76 nuk është i vogël për kirurgji torakale por është mjaft i konsiderueshëm”, thotë Kolgeci, teksa sfidë të madhe e sheh mungesën e anesteziologëve.

“Nuk është vetëm vitet e fundit pot edhe më gjatë ka reflektuar mungesa e anesteziologëve në kirurgji sepse numri i anesteziologëve sipas statistikave nuk është i mjaftueshëm ato që i kemi momentalisht në QKUK prandaj edhe mungesa e anesteziologëve ka shkaktuar probleme dhe shpeshherë nuk ka mund me u realizua ato. Anesteziologët kanë qenë gjithmonë problematik për arsye se numri i anesteziologëve është i vogël edhe kjo reflektohet edhe në punën e kirurgëve”, u shpreh Kolgeci.

Ai ka folur edhe për renovimet që po kryhen në këtë klinikë, me ç’rast shpreson se së shpejti do të bëhen me sallë të dytë operative.

“Momentalisht është duke u bërë renovimi i sallave që e kemi pas edhe me operatorët në sallën e madhe po tash kemi edhe renovimet e sallës së dytë që do ta shkurtonte komplet numrin e pritjes së operacioneve në kirurgjinë torakale. Deri tani ne jemi qendra e vetme klinike që i referojmë pacientët në klinikën tonë për gjoks dhe kemi pasur vetëm një sallë të operacionit tani presim sallën e dytë të operatorit që ka me e zbut shumë numrin e pacientëve që presin për operacion”, thotë tutje Kolgeci.
Ndërsa listën e pritjes e sheh si normale pasi të njëjtat thotë se ekzistojnë në tërë botën. E sa i përket numrit të mjekëve, thekson se kanë mjaftueshëm dhe ngjashëm me vendet e rajonit.

“Por duhet me e dit edhe këta se edhe në shtete të perëndimit është lista e pritjes edhe ne e kemi listën e pritjes dhe çdo kund në botë ekziston lista e pritjes. Absolutisht po sepse deri tash kemi punuar në kushte jo shumë të mira që nuk kanë qenë të favorshme për ne si mjekë, në fakt nuk kanë qenë as të pëlqyeshme për neve po me këto investime që kanë me u bë besoj se ka me qenë krejtësisht një faqë tjetër në kirurgjinë torakale. Ne kemi numrin e mjaftueshëm të mjekëve të mjaftueshëm për Republikën e Kosovës jemi 12 mjek dhe 3 specializantë që është numri i ngjashëm që e kanë edhe shtetet në regjion” , deklaroi Kolgeci./Indeksonline.net/

Read Previous

Cilat janë dy kushtet për anëtarësim të Kosovës në KiE ?

Read Next

Rreth dy mijë gjoba në trafik për 24 orë