Për gjashtë muaj, rreth 20 milionë euro për zgjedhje të parakohshme

Dy palë zgjedhje të parakohshme të organizuara brenda gjashtë muajsh i kushtuan buxhetit të shtetit rreth 20 milionë euro vetëm për organizimin e tyre. Për ato që u mbajtën më 28 dhjetor, u ndanë rreth 11.5 milionë euro, e sipas raporteve që ende nuk janë përfundimtare, shuma e shpenzuar është rreth 7.4 milionë euro. Ndërkaq, për zgjedhjet e 7 qershorit, janë ndarë 10,8 milionë euro.

Një numër qytetarësh shprehu pakënaqësi për këtë shpenzim në kohë inflacioni.

“Lëre që kanë shku paret dëm, por edhe shteti është dëmtu, populli është dëmtu, gjendja ekonomike, gjendja social të gjithat kanë përfundu keq”, tha Xhevat Zeqiraj.

“Me këto pare shumë ma mirë ka qenë me financu në shkolla ose çerdhe.. thjeshtë kanë pas ku me i shpenzu. Shumë e teprume. Shembull për keq”, ka deklaruar një tjetër qytetar.

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se politikanët nuk e kanë hallin as te buxheti e as tek interesi i qytetarëve.

“Për kalkulime e interesa edhe personale, edhe partiake nuk po e bartin fare atë ndërgjegjen e përgjegjësisë karshi buxhetit, por edhe karshi edhe interesit publik”, tha Bugaqku.

Ai thotë se përveç buxhetit prej rreth 20 milionë eurosh për organizimin e dy palë zgjedhjeve të parakohshme, nga paraliza institucionale Kosova humb shumë më shumë.

“Dëmet janë shumë të mëdha edhe në aspektin ekonomik, edhe në aspektin e reformave tjera.. në sektorin e drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë. Por në aspektin ekonomik i shkaktojnë dëme shumë të mëdha meqenëse po përfundojmë shpesh në zgjedhje, nuk po arrijmë as t’i kryejmë disa obligime të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe as t’i gëzojmë një numër të madh të fondeve ndërkombëtare që i kemi”, deklaroi ai.

Vitin e shkuar, krahas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, janë organizuar edhe dy palë zgjedhjesh të rregullta – parlamentaret në shkurt dhe lokalet në tetor. /Koha

Read Previous

Mbi 100 prokurorë të angazhuar në mbrojtje të votës

Read Next

KQZ: Qendrat e votimit janë hapur me kohë në të gjithë vendin