Parandalohet një rast i kontrabandës me cigare e duhan

Policia dhe Dogana e Kosovës në rajonin e lindjes kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme të cigareve dhe duhanit kontrabandë, që po vinte nga Republika e Maqedonisë për në Kosovë. Sipas policisë, në këtë aksion janë sekuestruar mallra që iu shmangën doganës në vlerë 20 mijë euro.

“Më datë 24.04.2024, në rajonin e Vitisë, njësitet e policisë dhe doganës kanë ndaluar automjetin me targa vendore, drejtuar nga i dyshuari  S.Z., i moshës  47  vjeçar nga Vitia.  Gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se kishte të ngarkuar 500 pako cigare të gatshme për treg të llojit FAST dhe rreth 300 kg duhan të grirë refuz, të cilat dyshohet se i kishte kontrabanduar nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve malore ne fshatin Lubishtë të Vitisë”, njofton policia.

Gjatë kontrollit, në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe 200 kg duhan me paketim Marlboro i përpunuar, thuhet më tej në njoftim.

“Gjithsej janë sekuestruar 500 kg duhan me vlerë mbi 6.000 € ndërsa shmangiet doganore janë mbi 20.000€. Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit i dyshuar dërgohet në qendrën e ndalimit për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohet dhe dërgohen në terminalin doganor-Dheu i Bardhë”, njofton policia.

Kjo e fundit bashkë me doganën thuhet se do të vazhdojë aktivitetet për parandalim dhe luftimin e kontrabandës dhe realizim të detyrave në teren në zonën kufitare në mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut./rtklive

Read Previous

U miratua që një vit, Deklarata për të Zhdukurit ende nuk ka filluar të zbatohet, çka thonë nga BE

Read Next

‘Daily Record’: Riviera Shqiptare, destinacioni i pushimeve tuaja