“Parajsa në tokë”, ju prezantojmë me destinacionin mahnitës

Gjatë gjithë verës, turistët pushtojnë rrugët e kalldrëmta të qytezës së vogël Alaçatı, që ndodhet në gadishullin Çesme në Turqinë Perëndimore. Shtëpitë prej guri, dyert prej druri të lyera me ngjyra të forta, rrugët dredha-dredha të mbushura me restorante luksoze dhe galeritë moderne të artit, e bëjnë Alaçatı-n të duket si një qytet mesdhetar, megjithëse me një hijeshi tipike turke.

Pushuesit turq vërshojnë çdo vit në këtë destinacion piktoresk që ndodhet rreth një orë me makinë në jugperëndim të Izmirit, por kohët e fundit ky destinacion po kthehet edhe në të preferuarin e turistëve nga e gjithë bota.

Kudo që të ndaleni për të pushuar në këtë qytezë, do të shihni njerëz që pinë çaj turk apo kafe, duke shijuar ajrin e pastër dhe rrezet e diellit.

Qyteti shumëngjyrësh

Alaçatı është zhvilluar shumë, sidomos gjatë 20 viteve të fundit. Deri në mesin e shekullit të 19-të, ishte thjesht një moçal dhe autoritetet vendase punuan shumë për të tharë kënetat dhe për të zhdukur mushkonjat që shkaktonin malarien. Më vonë, punëtorët grekë nga ishujt e afërt u vendosën aty për të kultivuar vreshtat dhe ullishtat, dhe rajoni vazhdon të jetë kryesori i prodhimit të verërave dhe vajit të ullirit në Turqi.

Ashtu si qytetet e tjera në zonë, Alaçatı u braktis kryesisht në vitet 1920, pasi Turqia dhe Greqia u angazhuan në procesin e shkëmbimit të popullsisë, bazuar në fe. Shumë prej shtëpive të saj prej guri u dëmtuan dhe u rrënuan, derisa dy dekadat e fundit shumë vizitorë vendosën të blinin një shtëpi pushimi, duke ringjallur sërish qytezën.

Vendasit mburren me arkitekturën e vendit, shtëpitë e bardha, lulet shumëngjyrëshe, si dhe prodhimet e ushqimet artizanale të vendit. Çdo pranverë, Festivali i Barishteve Alaçatı, një ngjarje vjetore që promovon përdorimin e barërave natyrore që rriten në këtë zonë tërheq një mori vizitorësh në zonë.

Parajsa në tokë

Ky rajon i Mesdheut lindor është i mbushur me histori. Rrënojat e lashta të Efesit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, gjenden vetëm një orë me makinë në jug të Alacatı.

I vendosur pranë Detit Egje dhe Selçukut të sotëm, qyteza mbetet një nga vendet më të nderuara të krishterimit dhe është shtëpia e disa prej mrekullive arkeologjike të Turqisë, duke përfshirë tempullin e Hadrianit, i ndërtuar për nder të perandorit romak Hadrian.

Pishinat termale të Pamukkale, që fjalë për fjalë përkthehet në “kështjellë pambuku”, janë vetëm disa orë larg me makinë. Rrënojat e ruajtura mirë të qytetit antik të Hierapolis, dikur një qendër shërimi, si dhe Pishina Antike e Pamukkale, e njohur gjithashtu si Pishina e Kleopatrës, ku besohet se ka notuar dikur mbretëresha egjiptiane Kleopatra, janë pikat kryesore që vizitohen nga turistët./A2news/

Read Previous

Pas 12 orëve gjendet turisti gjerman në Shqipëri

Read Next

Në Japoni hapen vendvotimet, dy ditë pas vrasjes së ish-kryeministrit Abe