Papa Françesku: Shqipëria, në rrugën e duhur të integrimit evropian

Papa Françesku pas vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, u shpreh se vendi është në rrugën e duhur të integrimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë diskutimeve në Sekretariatin e Shtetit, u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet e mira ekzistuese dypalëshe dhe synimi për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët.

Papa nuk la pa përmendur edhe kontributin pozitiv të komunitetit katolik në shoqërinë shqiptare.

Duke iu referuar marrëdhënieve historike e shumë shekullore mes shqiptarëve dhe liderëve të tyre me Selinë e Shenjtë, Begaj shprehu mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shteti i Vatikanit ka bërë për popullin shqiptar, sidomos pas ndryshimeve demokratike në vitet ’90.

Kreu i Shtetit vlerësoi vizitat e Papa Vojtilës në vitin 1993 dhe të Papa Françeskut në vitin 2014 si mesazhe të forta mbështetëse për shqiptarët, për historinë dhe sakrificat e tyre për liri, pavarësi e dinjitet.

Ai po ashtu ravijëzoi se vlerësimet e Papës për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri i bën krenarë të gjithë shqiptarët.

Begaj i siguroi Papa Françeskut, se shqiptarët ndjehen të vlerësuar dhe janë mirënjohës për vendimet e tij dhe të Selisë së Shenjtë për shenjtërimin e Nënë Terezës, lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, emërimin e At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi i Vatikanit, dhe së fundmi të emërimit të Imzot Arjan Dodajt si Kryeipeshkv i metropolit shqiptar të Tiranë-Durrësit.

Një vëmendje të veçantë në takimin me Atin e Shenjtë, Presidenti i Republikës ia kushtoi Kosovës.

Begaj nënvizoi se “që nga dita e shpalljes së pavarësisë Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në drejtim të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë”.

Më pas vëmendja u kthye në çështje të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Begaj e ftoi Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri, duke e siguruar se do të mirëpritej gjithmonë krahëhapur nga populli shqiptar. /Albanianpost.com

Read Previous

“Katar 2022”/ FIFA prezanton 11 më të mirët e xhiros së tretë në grupe

Read Next

Rreth 1 milion raste me COVID-19 në Britani brenda një jave