Osmani: Kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm që ta kemi përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Në Komitetin për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës, sot pritet të votohet raporti për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka thënë për media, se Kosova ka bërë gjithçka që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme në mënyrë që shtetet dhe deputetët ta përkrahin këtë anëtarësim.

“Raporti tashmë është pozitiv, përmbajta e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit Evropian me të drejta të barabarta sikurse të gjithë anëtarët e tjerë. Ajo çfarë do të ndodhë sot është procedurë, është një mbledhje e jashtëzakonshme e komitetit, e cila është ftuar në mënyrë që ky raport të miratohet dhe pastaj të procedohet për PACE Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës… 00:40 Kosova ka bërë çfarëdo që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në mënyrë që shtetet dhe deputetët ta përkrahin këtë anëtarësim”, ka thënë Osmani.

Duke pritur rezultatin me shpresë, Osmani ka shtuar se kjo është kauzë jo vetëm e shtetit por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët mbesin të vetmit evropianë pa qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Në çoftë se sot gjithçka kalon me sukses, atëherë në mes të prillit do të jetë mbledhja e gjithë asamblesë parlamentare e Këshillit të Evropës, ku edhe në çoftë se i marrim votat e nevojshme, aty rekomandohet anëtarësimi dhe ky rekomandim kalon prapë në komitetin e ministrave për mbledhjen e muajit maj të këtij viti, dhe aty vendoset pastaj për anëtarësimin përfundimtarë …E presim sot rezultatin me shpresë që do të mbështetet kjo kauzë e qytetarëve të Kosovës. Nuk është vetëm kauzë e shtetit, në kontekstin abstrakt është kauzë e qytetarëve të Kosovës, të cilët mbesin të vetmit evropian pa qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka shtuar ajo.

Ajo ka komentuar edhe letrën që ajo së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufa dhe kryeministrin, Albin Kurti i kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, e ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicw serbe.

“Interpretimet që i jep zonja Bakojanis apo interpretimet që i japin deputetë individual janë interpretimet e tyre. Mirëpo në qoftë se lexoni letrën e saj në veçanti paragrafi 11 i raportit e qartësinë që kur flitet për asociacioni flitet si një prej detyrimeve pos anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit. Mos të harrojmë që për themelimin e Asociacionit është dhënë përkushtimi i plotë në vitin 2013 nëpërmjet ratifikimit por ky është përsëritur në marrëveshjen bazike të 27 shkurtit 2023. Pra ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i marrëveshjes bazike të viti 2023. Ajo çka është më rëndësi që ka qenë edhe kërkesë e imja në letrën që e kemi dërguar të e ka përfshirë një pjesë ku kërkohet që çdo detyrim i Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën Kushtetuese, ligjet e Kosovës me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kjo është korniza jonë dhe nuk dalim kurrsesi jashtë saj”, tha ajo.

Sot nga ora 14:00, do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE, teksa në Kosovë presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

Inkuadrimi i Kosovës në këtë trup është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. /KosovaPress/

Read Previous

“Janë bërë të gjitha përgatitjet për mbjelljet pranverore”

Read Next

Identifikohen 4 automjete që hynë ilegalisht nga Serbia në Kosovë