Osmani: Hapësira vepruese për trafikuesit veç është rritur, prandaj Kosova të anëtarësohet në KiE e Interpol

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në Ditën kundër Trafikimit me Njerëz, ka thënë se në kohën kur fenomene të tilla janë bërë globale, edhe mobilizimi i institucioneve duhet të jetë i përbashkët.

Ajo tha se trafikimi me qenie njerëzore përben jo vetëm krim të rëndë por edhe sfidë të vazhdueshme e shqetësuese të shoqërisë.

“Hapësira vepruese për trafikuesit vetëm sa është rritur në këtë vit duke pasur parasysh edhe krizën globale që është shkaktuar si rrjedhojë e luftës ilegale të Rusisë kundër Ukrainës që ka cenuar rëndë rendin global dhe ka ndikuar që bota përgjithësisht të shndërrohet në ambient të pasigurtë. Ajo e ka zgjeruar shumëfish edhe terrenin për trafikantët me qenie njerëzor”.

“Kriza e refugjatëve e krijuar si pasojë e luftës, kriza energjetike, parametrat e ndryshuar ekonomik, tendencat destabilizuese si dhe sfidat e sundimit të ligjit gjithandej globit kanë mundësuar hapësirë gjithnjë e më të favorshme për trafikim me njerëz”, është shprehur Osmani.

Tutje, e para e vendit tha se Kosova po jep shembullin e mirë të bashkëpunimit në mes policisë dhe Inspektoratit të Punës në mënyrë që viktimat e trafikimit të identifikohen dhe tu ofrohet mbështetje ligjore.

Osmani, gjithashtu kërkoi edhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe në Këshillin e Evropës, pasi sipas saj, këto anëtarësime do të ndikonin në bashkërednimin e mirë me vendet e tjera në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe në luftimin e dukurive të tilla.

“Prandaj dua të bëjë thirrje edhe sot për anëtarësim të shpejt të Kosovës në gjithë mekanizmat ndërkombëtar duke kërkuar përkrahjen e të gjitha vendeve. Ky anëtarësim është parakusht për suksesin tonë në luftimin kundër trafikimit me njerëz”.

“Anëtarësimi në Inteprol dhe Këshillin e Evropës do të vuloste përpjekjet tona për luftim të krimit të organizuar dhe rrjetit të trafikantëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të fuqizonte përpjekjet tona për përparim të mëtejmë duke i dhënë përparësi edhe miratimit të masave e procedurave të veçante për identifikimin e viktimave të trafikimit dhe ofrimin e ndihmës së duhur”, është shprehur Osmani.

Më tej, ajo se nuk mundet askush të jetë kundër krimit të organizuar e kundër Kosovës në Interpol.

“Pra, nëse dikush është kundër krimit të organizuar duhet të jetë pro Kosovës në Interpol. Nëse dikush është pro të drejtave të njeriut, duhet të jetë pro Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Osmani. /Klankosova.tv/

Read Previous

Moti në Gjakovë për 7 ditë

Read Next

Liverpool po mendon transferimin e De Jong në janar