Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Izmir

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës të dielën e 25 shtatorit do të prezantohet me koncert në Izmir të Turqisë, në Sallën e Madhe të Qendrës Prestigjioze të Artit, “Ahmed Adnan”.

Koncerti organizohet në kuadër të Festivalit të 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale në Izmir.

Orkestra do të interpretojë uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano në a-mol nga Schumanni me soliste, pianisten e mirënjohur turke Yeşim Gökalp.

Pjesa e dytë e koncertit për publikun do të sjellë një panoramë të muzikës simfonike shqiptare me vepra nga Çesk Zadeja suita simfonike “Skëndebeu”, Lorenc Antoni “Në Prizrenin e vjetër”, Valton Beqiri “Loja”, Hajrullah Syla “Uverturë shqiptare” dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë.

Në këtë koncert i cili do të dirigjohet nga Gridi Kraja, do të interpretohet edhe premiera botërore e veprës “Sinfonietta” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.

Koncerti përkrahet nga Komuna Metropolitane e Izmirit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

/Dukagjini/

Read Previous

Çelësi i kuptimit të legjendës së arit apo thesarit të fshehur të Gjergj Kastriotit

Read Next

Dubai do të ndërtojë hënën në Tokë me vlerë 5 miliardë dollarë