Ora e Tokës shënohet duke fikur dritat në orën 20:30

Sonte në orën 20:30, një nga nismat më të mëdha mjedisore në botë, Ora e Tokës, do të bashkojë sërish njerëzit në gjithë globin për të treguar përkushtimin e tyre ndaj planetit Tokë.

Organizata WWF Adria përmes një njoftimi për media ka ftuar kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës që të fikin ndriçimin në ndonjë objekt apo pjesë të veçantë të qyteteve të tyre sot nga ora 20:30 deri në 21:30, dhe kështu, të bëhen pjesë e shënimit të kësaj dite.

“Përderisa biodiversiteti i botës po zvogëlohet në një shkallë të paprecedent, dhe rreth një milionë specie janë të kërcënuara me zhdukje, lëvizja më e madhe në botë për ruajtjen e planetit ka për qëllim të mobilizojë individët, bizneset, dhe qeveritë, të jenë pjesë e bisedimeve dhe zgjidhjeve që nevojiten për një të ardhme të qëndrueshme. Ora e Tokës, e cila filloi në vitin 2007 si ngjarje simbolike e ndaljes së dritave në Sidni të Australisë, sot shënohet në mbi 190 shtete dhe territore. Këtë vit në rajonin fokusi i kësaj ngjarjeje do të jetë ngritja e vetëdijes për llojet e kafshëve që po zhduken me ritëm shumë të shpejtë”, thuhet në apel.

Ndryshe, WWF është një nga organizatat më të mëdha të pavarura e më me reputacion për mbrojtjen e natyrës, me afro pesë milionë mbështetës, dhe një rrjet global aktiv në më shumë se 100 shtete.

Misioni i WWF është të ndalojë shkatërrimin e mjedisit natyror të Tokës, dhe të ndërtojë një të ardhme ku njerëzit jetojnë në harmoni me natyrën.

Read Previous

AKK për dy muaj procedoi 60 raste në prokuroi për korrupsion, mos deklarim dhe deklarim të rrejshëm

Read Next

Vettingu në drejtësi, Haxhiu: Dy herë kam takuar opozitën për t’i bindur se nuk bëjmë hakmarrje