Papa Leoni XIV nuk ka nevojë për trajtim të mëtejshëm mjekësor, pasi analizat kanë konfirmuar se tumori i hequr nga mushkëria e tij ishte i lokalizuar.
Kështu kanë njoftuar mjekët e Papës më 21 tetor, pas përfundimit të analizave përfundimtare të indit të hequr gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të 13 tetorit, raporton Vatican News.
Sipas njoftimit, tumori ishte adenokarcinomë e mushkërisë, një lloj kanceri që zhvillohet në indet e këtij organi.
Papa iu nënshtrua një operacioni gjatë të cilit iu hoq lobi i poshtëm i mushkërisë së djathtë.
Mjekët Luigi Carbone dhe Stefano Margaritora kanë bërë të ditur se rezultatet e analizave histopatologjike dhe molekulare konfirmuan natyrën e tumorit dhe faktin se sëmundja ishte e lokalizuar.
“Raportet përfundimtare të analizave histopatologjike dhe molekulare të indit të hequr gjatë operacionit të Atit të Shenjtë u publikuan sot. Rezultatet konfirmuan se tumori ishte adenokarcinomë e mushkërisë dhe se sëmundja ishte e lokalizuar. Një vlerësim i mëvonshëm onkologjik ka konfirmuar se nuk nevojitet trajtim i mëtejshëm”, thuhet në deklaratën e mjekëve, të publikuar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Njoftimi vjen tetë ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe pas daljes së Papës nga spitali Gemelli në Romë.
Më herët, kirurgu Stefano Margaritora kishte deklaruar se nuk kishte arsye klinike për anulimin e vizitës së planifikuar të Papës në Amerikën e Jugut.
Megjithatë, vendimet për aktivitetet dhe udhëtimet e ardhshme të Papës do të varen nga vlerësimet mjekësore dhe procesi i rikuperimit pas operacionit. /KosovaPress/