​Shefi i OKB-së: Lufta në Ukrainë do të marrë fund kur të vendos Rusia

Lufta në Ukrainë do të vazhdojë derisa “Rusia të vendosë t’i japë fund”, tha të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, sipas CNN.

“Lufta nuk do të përfundojë me takime,” tha ai gjatë një interviste. “Lufta do të përfundojë kur Federata Ruse të vendosë t’i japë fund dhe kur të vendoset armëpushimi. Ne mund t’i zhvillojnë të gjitha takimet, por diçka e tillë nuk  do t’i japë fund luftës.”

Të martën, Guterres udhëtoi për në Moskë për tu takuar me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar “propozimet për ndihmë humanitare dhe evakuimin e civilëve” nga zonat e konfliktit, përkatësisht nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

Si rezultat, Putin ra dakord “në parim” për të lejuar OKB-në dhe Kryqin e Kuq që të ndihmonin në evakuimin e qytetarëve nga fabrika Azovstal në Mariupol, bastioni i fundit i mbrojtjes ukrainase në qytet.

I pyetur se çfarë roli synonte të luante OKB-ja në hetimet e krimeve të luftës të kryera nga forcat ruse në qytetin Bucha në periferi të Kievit, Guterres përsëriti thirrjet e tij për një “hetim të pavarur”.

Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në vrasjet masive të civilëve në Ukrainë, ndërsa përsëriti pretendimet e pabaza se imazhet e trupave në rrugët e Bucha janë “të rreme”.

/abcnews.al

Read Previous

Raportimet se nga sot do të rritet sërish çmimi i derivateve, flet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve

Read Next

Bundestagu gjerman voton sot për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë