Nis zbatimi i Ligjit për të huajt dhe për automjete në Kosovë

Të premten ka nisur zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet në Kosovë.

Zbatimi do të bëhet në dy faza.

Në fazën e parë, e cila do të zgjasë deri më 15 mars, vizitorët që hyjnë në Kosovë përmes vendkalimeve kufitare do të pajisen me materiale informuese lidhur me procedurat dhe rregullat e reja që parashihen me këto ligje. Kjo periudhë do të ketë karakter informues dhe orientues.

Pas përfundimit të kësaj faze, autoritetet do të fillojnë zbatimin e plotë të të gjitha procedurave dhe rregullave të përcaktuara me Ligjin për të huajt dhe Ligjin për automjetet.

Sipas institucioneve kosovare, kjo periudhë e zbatimit afirmativ duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të nisur procesin e integrimit përmbajtësor të sistemit shëndetësor dhe atij të arsimit në të gjithë territorin e vendit.

Zbatimi pa përjashtime i këtyre dy ligjeve ishte paraparë të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit, 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.

Sipas Ligjit për të huajt të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.

Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.

Këto masa, megjithatë, u kritikuan nga komuniteti serb në Kosovë.

Lista Serbe vlerësoi se shtyrja e zbatimit të rregullave është e vetmja zgjidhje racionale dhe e përshëndeti angazhimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje.

Në njoftim u tha se periudha kalimtare deri më 15 mars duhet të shfrytëzohet pikërisht për gjetjen e një modeli me të cilin do të zgjidhet çështja e zbatimit të dy ligjeve. /Albanianpost.com

Read Previous

Muriqi: Nuk kam asnjë dyshim se Mallorca do të qëndrojë në La Liga

Read Next

Trump: Mund të përdorim trupat ushtarake për të ndaluar protestat në Mineapolis