Nga “Shpata e Kosovës” deri te Vëllaznimi, një jetë dedikuar ngjyrave kuq e zi

Një masë e rrumbullakët e krijuar nga leckat që krijonte idenë e një topi shërbente për t’u këndellur sado pak, për t’u larguar nga një realitet që atë botë nuk ofronte komoditet.

Kështu filloi gjithçka nga një improvizim, nga një këndellje derisa Faik Dushi solli topin e parë në qytetin e tij një top që kishte ardhur nga Kroacia  për të filluar rrokullisjen e tij me fanatizëm në qytetin e Gjakovës, qytetit që Luigj Gurakuqi vlerat kombëtare dhe atdhedashurinë ia ngriste në piedestalin e trimërisë.

Lidhja e Vëllaznimit me qytetin e Gjakovës është aq e madhe sa që në rast se fillojmë dhe i përmendim të gjithë ata që dhanë kontribut do na duhej një artikull i veçant vetëm me emrat e përveçëm.

Nga ndeshjet që zhvilloheshin në kazermat ushtarake deri te stadiumi më modern në vend duket se gjithçka ka kaluar kaq shpejt para sysh sa që onirologjia do duhej të na jepte një përgjigje më konkrete.

Si gjithçka tjetër atë kohë edhe Vëllaznimi kishte problemet e veta në fillimet e tij dhe problemet sigurisht do të fillonin me ngjyrat që janë të lidhura me rrahjet e zemrës të secilit njeri në Gjakovë, sigurisht bëhet fjalë për ngjyrat kuq e zi, ngjyra të cilat për sistemin e atëhershëm sillnin “rrezik”.

Por si mund t’ia largosh organet e frymëmarrjes dikujt dhe t’i thuash që të marrë frymë?

Sigurisht edhe pse presioni ishte i lartë ato ngjyra mbeten aty duke u djersitur me krenari dhe duke u adhuruar nga një qytet i tërë që koha i ndalonte sa herë Vëllaznimi luante.

Krenaria e qytetit, katalizatori i lumturisë nuk ishte i vetëdijshëm atë kohë për gjërat që do të përballej. Vëllaznimi emri i madh i futbollit të Kosovës pas pavarsisë do të fillonte një periudhë e cila fundin do ta prekte me rënien nga elita e futbollit për një ligë më poshtë.

Ishin vite të cilat nuk i donte askush, vite të cilat konsistenca shihej në perëndim.

Nuk është e mundur të flasësh për Vëllaznmin dhe të mos i përmendësh tifozët, tifozët që mbajtën gjallë shpresën, ata që shtyen përpara me vetëmohim klubin, i cili dukej që po venitej dhe shkëlqimi i dikurshëm ishte një imazh që po i humbisnin ngjyrat. Pikërisht në këtë pikë  ishin ata që bënin kompromisë me arsyetimin logjik kur në pyetje ishte Vëllaznimi.

Nga marrja për dore për ta parë të madhin Vëllaznim tani secili ec në këmbët e tij për në stadium dhe me padurim presin kohën kur të jenë ata që marrin për dore fëmijët që t’i dërgojnë në stadium.

Gjërat kanë ndryshuar, ky sezon po fillon të ketë një rëndësi më të madhe, rikthimin e Vëllaznimit në vendin që i takon, tifozëve ka filluar t’iu kthehet buzqëshja në fytyrë, qyteti po frymon më lirshëm sepse Vëllaznimi po vendos themelet e ngritjes së tij për në tryezën që i takon./tvsyrivison/

Read Previous

Izraeli konfirmon sulmin mbi “qendrën komanduese” të Hezbollahut në jug të Libanit

Read Next

OKB refuzon kërkesën e Izraelit për të zhvendosur paqeruajtësit nga Libani