Protestat që prej më shumë se tre javësh mbushin rrugët e Tiranës kanë tërhequr vëmendjen e një prej mediave më prestigjioze në botë, “New York Times”, e cila në një reportazh të gjatë arrin në një përfundim të qartë: lëvizja qytetare në Shqipëri nuk është një protestë kundër Donald Trump-it, Jared Kushner-it apo Izraelit, por një revoltë ndaj korrupsionit dhe klasës politike shqiptare.
Në artikullin e gazetarit Andrew Higgins, i cili ka raportuar nga Tirana, Zvërneci dhe Vlora, theksohet se megjithëse protesta ka marrë jehonë të madhe në Shtetet e Bashkuara dhe është interpretuar në mënyra të ndryshme nga grupe politike amerikane, motivet e protestuesve janë kryesisht lokale.
“Askush këtu nuk proteston kundër Trump apo Izraelit”, citohet të thotë një prej protestuesve të intervistuar nga gazeta, duke shtuar se zemërimi i qytetarëve drejtohet ndaj mënyrës se si është qeverisur Shqipëria gjatë dekadave të fundit dhe ndaj korrupsionit politik.
Sipas reportazhit, protesta u nxit fillimisht nga reagimi publik ndaj dhunës së ushtruar nga rojet private në zonën ku parashikohet një projekt turistik luksoz i lidhur me Jared Kushner dhe investitorë nga vendet e Gjirit, por shumë shpejt u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër establishmentit politik shqiptar.
“New York Times” vëren se në rrjetet sociale protesta është kthyer në një “cause célèbre” si për progresistët amerikanë, të cilët e paraqesin si një reagim ndaj familjes Trump, ashtu edhe për qarqe të së djathtës konspirative, të cilat e interpretojnë si një betejë kundër Izraelit apo planeve të pretenduara për zhvillimin e bregdetit shqiptar.
Megjithatë, sipas gazetës, këto narrativa nuk përputhen me mesazhin e protestuesve në terren.
Në artikull theksohet se në protesta janë dëgjuar slogane si “Rama në burg, Berisha në burg”, çka sipas autorit tregon se pakënaqësia nuk drejtohet ndaj një figure apo një projekti të vetëm, por ndaj gjithë klasës politike që ka dominuar vendin pas rënies së komunizmit.
Gazeta citon edhe kryeministrin Edi Rama, i cili argumenton se shqiptarët po përdoren si “mish për top” në një betejë politike që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë kundër Donald Trump-it, ndërsa akuzon rrjetet sociale për përhapje të dezinformimit dhe ekzagjerim të ngjarjeve.
Nga ana tjetër, analisti Elez Biberaj, i cituar nga “The New York Times”, vlerëson se protestat pasqyrojnë “kolapsin e besimit publik ndaj gjithë sistemit politik në Shqipëri” dhe nuk duhet të interpretohen si një lëvizje kundër familjes Trump apo kundër Shteteve të Bashkuara.
Reportazhi ndalet edhe te shqetësimet e disa protestuesve se aktorë të huaj po përpiqen të përvetësojnë kauzën e tyre, duke e zhvendosur debatin nga korrupsioni dhe qeverisja në narrativa anti-Trump apo anti-Izrael, të cilat, sipas tyre, nuk përfaqësojnë frymën e protestës.
Në përfundim, “New York Times” e paraqet protestën shqiptare si një lëvizje qytetare që ka lindur nga pakënaqësitë e brendshme ndaj korrupsionit, mënyrës së qeverisjes dhe menaxhimit të pasurive publike, ndërsa vëren se interpretimet ndërkombëtare kanë krijuar një narrativë shumë më të gjerë sesa ajo që artikulohet çdo mbrëmje në rrugët e Tiranës. /Albanianpost.com