Kaçaniku për rritjen e çmimeve: Përgjigjen ndaj qeverisë me dialog ose në mënyrë tjetër
Afati për subjektet e reja politike që synojnë të bëhen pjesë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit po shkon drejt fundit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta mbyllë më 10 maj, në orën 24:00, periudhën për aplikim dhe certifikim të koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, partitë politike nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen këtij procesi, pasi ligji për zgjedhjet e përgjithshme i konsideron ato automatikisht të certifikuara.
Ai ka bërë të ditur se subjektet e reja duhet ta dorëzojnë aplikimin online në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar pranë KQZ-së.
“Procesi i certifikimit vlen vetëm për koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ndërsa partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara sipas ligjit”, ka deklaruar Elezi.
Pas përfundimit të këtij afati, subjektet politike do të kenë edhe dy ditë kohë për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë. Afati përfundon më 12 maj dhe aplikimi do të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së, njësoj si në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në dhjetor.
Elezi ka sqaruar se të gjitha subjektet politike – partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve brenda afatit 11-ditor të përcaktuar nga KQZ-ja.
Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, KQZ kishte certifikuar 1,180 kandidatë për deputetë nga gjithsej 24 subjekte politike. Prej tyre, 18 ishin parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Deri tani, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa 9 të tjera kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë. Ndërkohë, janë zyrtarizuar edhe tri koalicione parazgjedhore.
Në mesin e partive që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe disa subjekte të komuniteteve joshumicë.
Ndërkaq, subjektet që kanë bërë të ditur se nuk do të garojnë përfshijnë Aleanca Kosova e Re, Nisma Socialdemokrate dhe Partia e Drejtësisë.
Sa u përket koalicioneve, deri më tani janë konfirmuar bashkimi mes Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan në kuadër të “Koalicija VAKAT”, koalicioni “Ashkalitë e Bashkuar”, si dhe bashkëpunimi mes Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partisë Shqiptare Demokristiane.