“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE po përparojnë më shpejt se kurrë”

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në BE duke theksuar disa arritje të rëndësishme të realizuara muajt e fundit.

Ajo u shpreh se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po e ndjek këtë proces në bazë të meritave.

“Vazhdojmë të mbajmë një fokus shumë të fortë te reformat në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Kos, duke nënvizuar se progresi i shpejtë i Shqipërisë është një sinjal i qartë i mbështetjes dhe përkushtimit të BE-së.

Ajo shtoi se BE-ja do të qëndrojë pranë Shqipërisë dhe kërkoi angazhim të shtuar për realizimin e objektivit të qeverisë shqiptare për mbylljen e të gjitha kapitujve të negociatave deri në vitin 2027.

Më tej, Kos theksoi se “nga Shqipëria pritet të konsolidojë më tej progresin shumë të mirë në këtë drejtim”.

“Përparimi i shpejtë në negociatat e anëtarësimit është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë pranë Shqipërisë dhe jemi sinqerisht të përkushtuar për të përcaktuar një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE. Zgjerimi është një projekt gjithëpërfshirës për shoqërinë dhe do të kërkohet angazhim i plotë nga e gjithë shoqëria shqiptare”.

Kjo, “për të arritur objektivin ambicioz, por realist, të mbylljes së të gjitha kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027”. /Albanianpost.com

Read Previous

Arrestohet një i dyshuar për një sërë vjedhjesh të rënda në Gjakovë

Read Next

OVL-UÇK reagon reagon pas vendimit të Speciales