Deklarata kundër Speciales, Haxhiu: Do të kontribuojmë në draftimin e saj
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka folur për medie pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ai theksoi se situata pas zhvillimeve të 16 shtatorit kërkon përgjegjësi institucionale dhe unitet politik.
Tahiri bëri me dije se në mbledhje ka kërkuar që Kuvendi të miratojë një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën, e cila, sipas tij, pritet të votohet në seancën e së hënës.
Megjithatë, ai tha se më e rëndësishme është nisma ligjore për amendamentimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilën PDK-ja e ka dorëzuar në Kuvend dhe e cila tashmë është përcjellë për mendim në Qeveri.
Sipas Tahirit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar se do të komunikojë me kryeministrin Albin Kurti për përshpejtimin e procedurave.
“Presioni tash është te Qeveria”, tha Tahiri, duke kërkuar që procedurat të mos zgjasin afatin e paraparë, por të trajtohen me urgjencë.
Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike për unitet dhe tha se çështja e Dhomave të Specializuara nuk duhet të lidhet me temat e tjera politike.
Tahiri theksoi se projektligji, sipas tij, nuk duhet të shihet si nismë e një partie, por si çështje që lidhet me shtetin e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e të gjithëve”, tha ai, duke kërkuar mbështetje institucionale për këtë proces.
I pyetur nëse në mbledhjen e Kryesisë është diskutuar edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, Tahiri tha se kjo nuk ishte temë e diskutimit.
“16 shtatori, ligji për Dhomat e Specializuara dhe padrejtësia që i ka ndodhur vendit nuk duhet të lidhen me tema politike”, deklaroi ai.
Tahiri tha se nëse ekziston vullneti politik, projektligji mund të procedohet me shpejtësi, ndërsa shtoi se veprimet konkrete do të tregojnë nëse ekziston vullneti për mbështetjen e tij. /RTKlive