Nagavci: E rëndësishme krijimi i kushteve të shëndosha për arsim cilësor

Komisioni për Arsim ka organizuar tryezën e diskutimit “Prej Politikave në Praktikë. Shqyrtimi i progresit në Arsimin e Lartë dhe Shkencë”. Në këtë tryezë janë diskutuar tri çështje të rëndësishme.

Si çështje e parë ishte Ligji i Akreditimit  dhe zbatimi i tij në teren, specializimi i mençur dhe ngritja e cilësisë për arsim, financimi dhe përkrahja në bazë të performances së universiteteve.

Ministria e Arsimit së fundi ka nxjerrë edhe një udhëzim të ri administrativ për të avancuar cilësinë në arsim.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencave, Arbërie Nagavci gjatë fjalimit në këtë tryezë tha se është shumë e rëndësishme krijimi i kushteve të shëndosha për arsim cilësor e të një mundësie për performancë të lartë të institucioneve të arsimit të lartë, duke theksuar se kjo gjë e tregon edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ministrisë dhe qeverisë, duke mbështetur institucionet e arsimit të lartë në arritjen e objektivave.

Ajo shtoi se proceset në arsim udhëhiqen nga dy faktorë bazë e që sipas saj janë politika ministrisë dhe praktika, dhe se si ministri po synojnë që t’i realizojnë punimet në linjë me politikat.

“Konsideroj që kemi rezultate konkrete të cilat janë të matshme”, tha ajo.

Ajo shtoi se arsimi i lartë ka qenë prioritet dhe përmendi disa arritje, teksa theksoi se Ligji për Arsimin e lartë ka mbetur i bllokuar për shkak të pengesave të deputetëve nga Lista Serbe. /RTK/

Read Previous

Osmani dhe Konjufca bëjnë homazhe në Poklek e Çikatovë të Vjetër

Read Next

Bayern Munich – Arsenal, formacionet e mundshme