Rritja e kostove të karburantit e rëndojnë buxhetin e Pentagonit
Një muze, i dedikuar karrierës së ish-presidentit amerikan, Barack Obama pritet të hapet në Çikago më 19 qershor, në ditën e festës kombëtare amerikane “Juneteenth”, e cila përkujton emancipimin e afrikano-amerikanëve nga skllavëria në vitin 1865.
Ekspozita, e vendosur në një kullë të madhe prej betoni, paraqet etapat kryesore të jetës së Obama-s para dhe pas zgjedhjes së tij si, presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo përfshin momente kyçe të presidencës së tij, si reforma e thellë në sistemin shëndetësor, e njohur si “Obamacare”, si dhe operacioni që çoi në eliminimin e liderit të al-Qaeda-s, Osama bin Laden.
Përpjekjet diplomatike të Obama-s pasqyrohen gjithashtu në ekspozitë, përfshirë fjalimin e tij në Brandenburg Gate, Berlin, së bashku me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel.
Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin edhe një kopje në përmasa reale, të Zyrës Ovale.
Sipas Michael Strautmanis, drejtues i komunikimit korporativ dhe politikave në “Obama Foundation”, ish-presidenti Obama ka ndihmuar në hartimin e konceptit të muzeut dhe tregon interes të veçantë për përmbajtjen e ekspozitave që do t’u prezantohen vizitorëve, por në përgjithësi u ka lënë ekspertëve lirinë për të kryer punën e tyre.
Përveç muzeut, kompleksi prej rreth 7,8 hektarësh do të përfshijë një forum, një sallë shumëfunksionale dhe një pjesë të bibliotekës publike të qytetit.
Vendosja e muzeut në “Jackson Park” nuk ishte rastësore. Bashkëshortja e Obama-s, Michelle Obama, është rritur në pjesën jugore të Çikagos, ku çifti u martua dhe ku lindën dy vajzat e tyre, Malia dhe Sasha.
Obama dha mësim për 12 vjet në Universitetin e Çikagos dhe pikërisht, në jug të qytetit nisi karrierën e tij politike, e cila e çoi më vonë në Shtëpinë e Bardhë, si presidenti i 44-t i SHBA-së. /ATSH-DPA/