Murati: Ekonomia e Kosovës ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës

Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka thënë këtë të shtune se “për herë të parë, ekonomia e vendit tonë ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës”.

Përmes një postimi në Facebook, Murati theksoi se duke iu referuar shifrave zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, “në fund të tremujorit të dytë sivjet, kemi pasur të regjistruara 404 mijë e 965 vende pune aktive”.

“Kjo është dëshmia më e mirë që politikat tona të punësimit po funksionojnë”, mendon ai, përkundër se ka pasur kritika të vazhdueshme nga njohësit e ekonomisë për politikat ekonomike të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Ndërkaq, ministri Murati potencoi se “punësimi ka qenë prioritet që nga dita e parë, si njëra nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës – Punësim e Drejtësi”.

Tutje, ai përmendi edhe disa masa të punësimit.

“Qeveria për Familjet – secila familje një të punësuar; Mbështetja e punësimit të grave; Mbështetja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara; Mbështetja e zanateve; Mbështetja e start-ups; Superpuna”.

Përveç këtyre, siç tha ai “masave direkte”, theksoi se “gjithashtu kemi shtuar subvencionet në bujqësi, mbështetur kreditë investive për prodhuesit, filluar shkollimin dual, dhënë bursa për studime në STEM, shpërndarë voucher për kurse në IT”.

“Si dhe shumë masa, veprime e lehtësime tjera të cilat po japin rezultat dita ditës”.

“Punë dhe Drejtësi!”, përfundoi ai, duke iu referuar premtimit që Lëvizja Vetëvendosje e kishte bërë gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, për të cilin është akuzuar nga opozita dhe shoqëria civile se nuk e ka zbatuar në qeverisje. /Albanianpost.com

Read Previous

Fokusi i Zuckerberg-ut tani është ruajtja e nivelit të përdoruesve në Threads

Read Next

Forumi Kosovar i Aftësive të Kufizuara reagon pas vrasjes së trefishtë në Lipjan, thonë se djali ishte me aftësi të kufizuara