Ministrja Hajdari prezanton projektligjin për sigurim të produkteve, opozita kërkon largimin e saj

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në seancën e Kuvendit të Kosovës ka prezantuar ligjin për sigurime të përgjithshme të produkteve, që sipas saj me këtë ligj do të sigurohet vendosja e produkteve të sigurta në treg.

Siç e ka sqaruar Hajdari, me miratimin e këtij ligji, nuk do të ketë produkte mashtruese në treg.

“Duke e pasur parasysh që ligji I ri do të zbatohet për të gjitha produktet, siguria e të cilave nuk rregullohet me rregullore të veçanta duke krijuar kështu një bazë ligjore funksionale për sigurinë e përgjithshme të produkteve”.

“Rrjedhimisht do të sigurojë vendosjen në treg të produkteve të sigurta dhe do të parandalojë importimin dhe prodhimin e produkteve mashtruese si dhe eksportimin e tyre”, ka thënë Hajdari.

Ajo shtoi se barazi do të ketë për të gjithë tregtarët, “rregulla të barabarta dhe të qarta do të vendosen për të gjithë prodhuesit dhe shpërndarësit e produkteve”.

Mirëpo, sipas deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, Hajdari është ministrja e parë e dënuar në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se asnjë projektligj nga ministrja nuk do të votohet nga PDK-ja, pasi sipas tyre kjo ministre nuk është e denjët ta vazhdojë këtë pozitë.

“Një projektligj i tillë është prezantuar nga një ministre e cila tashmë është dënuar nga organet gjyqësore për fshehje të pasurisë. Por, rrjedhimisht një politikë e tillë e bën mjaft të lëndueshme, mjaft të cenueshme, prezantimi nga një ministre e cila tashmë ka vendim të gjyqësorit që nuk e ka deklaruar pasurinë”.

“Për ne është e papranueshme që të vazhdoj të qëndrojë në sallë dhe të vazhdojë ta ushtrojë funksionin e ministres”.

“Është po kjo ministre e cila në kohën e saj kur është pikërisht kompetencë e saj mbrojtja e produkteve vendore, Serbia shënon rekord në vendin tonë të importimit të mallrave”.

Por, deputeti Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës i cili është edhe pjesë e komisionit të zhvillimit ekonomik, ka bërë të ditur se është i pajtimit që ky projektligj të miratohet në këtë seancë.

“Komisioni e ka shqyrtuar në parim për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe vendosi që Kuvendit t’i prezantojë në parim që të miratohet ky projektligj”.

Edhe Jeta Statovci nga Lëvizja Vetëvendosje, ka pohuar se ky projektligj do të përcaktojë vetëm produkte të sigurta në treg.

“Projektligji për sigurimin e përgjithshme të produkteve ka për qëllim që të përcaktojë kriteret e sigurisë në treg. Objektivat kyçe që duhet të arrijë miratimi i këtij projektligji janë përafrimi me legjislacionin e BE-së si dhe krijimi bazës ligjore të mirëfilltë për sigurinë e përgjithshme të produkteve”. /Albanianpost.com

Read Previous

Parashqevi Qiriazi, e vetmja veprimtare grua në Konferencën e Paqes në Paris

Read Next

Ish-krerët e UÇK-së paraqiten fizikisht në Speciale