OpenAI po shqyrton “ngadalësimin” e zhvillimit të inteligjencës artificiale të avancuar
Ministri i Drejtësisë në Maqedoni të Veriut, Jeton Shasivari, i emëruar nga partia shqiptare në pushtet VLEN, përmes një postimi në facebook, ka barazuar krimet serbe ndaj civilëve në Kosovë, me pretendimet për ish krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Shasivari ka kërkuar që vendimi i paralajmëruar për 16 shtator të respektohet, pavarësisht përmbajtjes së tij. Në postimin e titulluar “Mesazh për Kosovën: Drejtësia nuk ka anë politike”, Shasivari thotë se për fajësinë ose pafajësinë duhet të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e ligjit dhe provave, ndërsa politika, emocionet dhe reagimet e rrugës, sipas tij, nuk duhet të ndikojnë mbi procesin.
Megjithatë, në deklaratën e ministrit bie në sy vendosja në të njëjtin rrafsh e krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë me pretendimet për vepra penale ndaj një numri të vogël serbësh dhe pjesëtarësh të komuniteteve të tjera.
“MESAZH PËR KOSOVËN: DREJTËSIA NUK KA ANË POLITIKE
Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet. Do të flasë gjykata.
Dhe çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, me ç’rast palët e kanë të drejtën e ankesës.
Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë – si dhe të drejtat e çdo të akuzuari.
Për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Asnjë deklaratë politike nuk mund ta zëvendësojë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë.
Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.
Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë. Ka nevojë për besim në drejtësi.
Si Ministër i Drejtësisë, besoj se përgjegjësia institucionale është e qartë: pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet, vendimet gjyqësore duhet të respektohen, ndërsa të drejtat e çdo viktime dhe të çdo të akuzuari duhet të mbrohen në përputhje me ligjin.
Institucionet e Kosovës duhet ta përballojnë këtë moment me qetësi, përgjegjësi dhe maturi shtetërore.
Në një demokraci funksionale, forca e shtetit nuk matet me reagimin ndaj një vendimi, por me aftësinë për ta respektuar ligjin dhe institucionet pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë.
Prandaj, mesazhi im institucional për Kosovën është i thjeshtë:
Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve.
Sepse drejtësia nuk i përket një partie, një qeverie apo një individi.
Drejtësia i përket shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij.
Ky është standardi evropian.”ka përfunduar Shasivari.
Duke aluduar në “Marshet e Lirisë” dhe protestave të shqiptarëve kundër Gjykatës Speciale, Shasivari ka kërkuar që Kosova të mos ushtrojë presion politik mbi drejtësinë, por të tregojë besim në të dhe të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit.
Deklarata e tij vjen në një çast veçanërisht të ndjeshëm për Kosovën, kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të kundërshtohet për qasjen selektive ndaj krimeve të luftës dhe për faktin se shumica dërrmuese e krimeve të kryera nga aparati shtetëror serb vazhdojnë të mbeten të pandëshkuara./GazetaExpress/BesianLeka/