Ministria e Financave e Banka Botërore me marrëveshje 96 milionëshe

Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar sot dy marrëveshje në vlerë totale prej 96 milionë euro. Sipas ministrisë, këto marrëveshje kanë qëllim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë.

“Marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) me vlerë prej 50 milionë euro, si dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), i cili përbëhet nga kredi prej 35 milionë euro dhe grant prej 12 milionë euro. Këto projekte synojnë të mbështesin reforma strukturore dhe investime strategjike në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, ka njoftuar ministria e Financave.

Sipas tyre, projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar, do të mbështetesë themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve kyçe financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.

Ndërkaq, thotë ministria, projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar edhe më tej vendin me rrjetet dhe standardet evropiane.

“Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, theksoi se këto marrëveshje përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ato përmirësojnë qasjen në financa për bizneset dhe rrisin efikasitetin e tregtisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë sonë”, thuhet në njoftim.

Tutje, sipas ministrisë, Xiaoqing Yu, përfaqësuese e Bankës Botërore, shprehu optimizëm për zbatimin në kohë të projekteve dhe riafirmoi angazhimin e Bankës Botërore për thellimin e bashkëpunimit në nismat e ardhshme.

“Këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të ekonomisë, lehtësimit të aktivitetit tregtar dhe përshpejtimit të integrimit ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve. /RTKlive

Read Previous

Fluturimi i parë i taksive ajrore elektrike hap epokën e transportit urban

Read Next

Kino “Hyrije Hana” gati për një muaj të madh kinematografik