Ministri Peci nënshkruan Udhëzimin Administrativ për kafshët shoqëruese

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci sot nënshkroi Udhëzimin Administrativ për kushtet dhe kërkesat teknike që duhet plotësuar nga strehimoret e kafshëve shoqëruese, akt ky ligjor i cili ua përcakton komunave në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, kushtet se si duhet t’i trajtojnë kafshët shoqëruese.

Bëhet e ditur se ai me këtë rast deklaroi se synimi është krijimi i ambienteve të sigurta për fëmijët dhe qytetarët në rrugë dhe njëkohësisht edhe përkujdes të duhur për mirëqenien e kafshëve endacake në përputhje më praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Përmes këtij Udhëzimi Administrativ, përcaktohen në detaje veprimet dhe sjelljet ndaj qenve endacakë që nga momenti i kapjes, izolimit, trajtimit, kastrimit, sterilizimit, fazës post-operative, socializimit, adoptimit dhe lëshimit”, theksoi Peci.

Po ashtu u tha se ky udhëzim përcakton qartazi kushtet në të cilat do të trajtohen qentë dhe macet; ambientet e ndara për çdo fazë, të përshtatshme me nivel të lartë të higjienës.

“Këto strehimore do të jenë të hapura për qytetarë të cilët do të kenë mundësi që t’i vizitojnë e njëherësh edhe të adoptojnë qen apo mace. Po ashtu, në funksion të këtyre strehimoreve, udhëzimi parasheh edhe kujdestarinë, ku qytetarët mund të kenë qasje në çdo kohë e orë për të raportuar çdo eventualitet”, bëhet e ditur në kumtesën për media.

/KlanKosova/

Read Previous

58 aktakuza kundër 65 personave, për vepra të ndryshme penale

Read Next

Kurti: Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik