Ministri i Jashtëm gjerman: Ndërprerjet e transportit detar mund të shkaktojnë uri në botë

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul bëri thirrje sot për bashkëpunim ndërkombëtar për të mbrojtur rrugët detare, përmes të cilave transportohen mallra në të gjithë botën. Deklarata e tij erdhi përpara një takimi me homologët e shtatë vendeve të tjera në Stamboll.

“Ne të gjithë i ndiejmë pasojat e sulmeve ndaj rrugëve detare, qoftë kur blejmë karburant apo kur bëjmë pazar në supermarket”, tha Wadephul përpara udhëtimit në Turqi.

Ai paralajmëroi se vonesat në dërgesat e plehrave kimike për bujqësinë, mund të shkaktojnë mungesë ushqimesh dhe uri në disa pjesë të botës.

Wadephul pritet të takohet me ministrat e Jashtëm të Turqisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Egjiptit, Pakistanit dhe Arabisë Saudite.

Ai tha se problemet në Ngushticën e Hormuzit, sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit ndaj Arabisë Saudite dhe anijeve, si dhe shtimi i sulmeve ruse ndaj transportit të grurit në Detin e Zi, mund të trajtohen vetëm përmes bashkëpunimit më të ngushtë ndërkombëtar.

“Ne nuk do të pranojmë që Irani dhe milicitë Houthi të mbajnë peng tregtinë botërore dhe të vazhdojnë të pengojnë furnizimin e botës me energji dhe plehra kimike”, deklaroi ai.

Sipas Wadephul, sulmet pa dallim ndaj anijeve tregtare dhe vendeve fqinje duhet të marrin fund.

Ministri gjerman akuzoi gjithashtu Rusinë se, përmes sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, po rrezikon me vetëdije shkaktimin e mungesës së ushqimeve në vendet e Jugut Global, veçanërisht në shtetet më të varfra që varen nga importi i grurit.

“Takimi synon të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve”, tha Wadephul.

Sipas zyrtarëve turq, në bisedime do të trajtohet edhe situata në Rripin e Gazës, zgjerimi i vendbanimeve izraelite të paligjshme në Bregun Perëndimor dhe dhuna e ushtruar nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve. /ATSH-DPA/

Read Previous

​Pedri: El Clasico është motivimi më i madh për Barcelonën

Read Next

Arsenali synon fitoren ndaj Evertonit