Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius deklaroi sot se nëse presidenti amerikan Donald Trump realizon kërcënimin për të marrë nën kontroll Groenlandën, kjo do të kishte ”pasoja për aleancën”, ndonëse ai nuk shkoi deri aty sa të thoshte se një veprim i tillë do ta shkatërronte NATO-n.
Duke folur në edicionin e mbrëmjes të një televizioni publik, Pistorius shtoi se koha e dislokimit të Gjermanisë dhe vendeve të tjera në ishullin arktik, në këto ditë tensionesh të shtuara lidhur me fatin e tij, është ”thjesht një rastësi kohore”.
”Është një rastësi në vetvete, sepse kur po e planifikonim, nuk kishim asnjë mënyrë ta dinim, së pari, që biseda do të zhvillohej dje dhe as se si do të përfundonte”, tha ai.
Bisedimet e zhvilluara dje në Uashington me ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës, si edhe me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, nuk çuan në një zgjidhje.
”Tani”, sipas Pistorius, ”çështja është se si të zhvillohen stërvitjet tokësore së bashku me forcat e tjera të NATO-s”.
Ai theksoi se pjesëmarrja e Gjermanisë në stërvitjen në ishullin e kontestuar synon t’u tregojë anëtarëve evropianë të NATO-s se vendi i tij qëndron ”besnik ndaj detyrimeve tona, diçka që, deri para disa vitesh, nuk e shprehëm mjaftueshëm qartë”. /ATSH-DPA/