“Milano Cortina 2026” – Kosova prezantohet me Kiana Kryeziun dhe Drin Kokajn

Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, të cilat do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt.

Ekipi olimpik i Kosovës përbëhet nga sportistët e skijimit alpin Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, përzgjedhësi Agim Pupovci, trajneri i Kianës Visar Kryeziu, si dhe shefi i misionit Jeton Rudari.

Kiana Kryeziu do të garojë në tri disiplina: super sllallom të madh, sllallom të madh dhe sllallom, ndërsa Drin Kokaj do të paraqitet në disiplinën e sllallomit.

Kryeziu u shpreh shumë e lumtur që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje madhore sportive, duke theksuar ndjenjën e krenarisë që e shoqëron pjesëmarrjen olimpike.

“Ndenja e parë ka më qenë ndenja e krenarisë, ajo nuk ka më ndryshuar kurrë prej Olimpiadës së parë, dytë, tretë, ndoshta edhe të katërtën dhe ndenja e dytë që është më së shumti përminente është një ndenje e matunisë edhe e gatishmërisë për më përfaqësuar Kosovën sa më mirë që është e mundur”, tha Kryeziu.

Ajo theksoi se rruga drejt kualifikimit për “Milano Cortina 2026” ka kërkuar përkushtim të madh dhe sakrifica shumëvjeçare.

“Agjenda jonë është një agjende katërvjeçare e cila kërkon shumë përkushtim, kërkon sakrifice të gjatë katërvjeçare prej familjes, prej teje si person dhe si sportist. Unë jam e lumtur që na kemi sportista dhe prodhojmë gjenerata që ndoshta në një kohë kanë më arritë më na kaluar neve”, theksoi Kryeziu.

I emocionuar për pjesëmarrjen e tij të parë olimpike, është shprehur edhe Drin Kokaj, i cili e cilësoi këtë si një moment të veçantë në karrierën e tij sportive.

“Për mua është Olimpiada e parë, është ndenjë krenarie dhe emocion i veçantë më përfaqësuar shtetin në nivelin më të madh botëror siç është olimpiada. Emocionet janë të veçanta, por e di që ka më qenë një kujtim për mua terë jetën, por jo vetëm për mua, por për çdo atletë është ëndrre që më shku në olimpiadë dhe më arritë rezultatet sa më të mira. Normal kish më qenë një dëshirë më e madhe që më renditet shtetin tonë sa më lartë në një renditje të nivelit botëror”, u shpreh Kokaj.

Të dy sportistët janë shprehur të bindur se do ta përfaqësojnë denjësisht Kosovën në “Milano Cortina 2026”, Lojërat Olimpike Dimërore që nisin më 6 shkurt. /RTKLive

Read Previous

Gonzato: Forcimi i sundimit të ligjit, gur themeli i rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE

Read Next

Shtatë filma rreth Holocaust-it që duhet t’i shihni patjetër