Mesazhi i Ademit për futbollistët e Kosovës para ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024

Në prag të fillimit të fushatës kualifikuese për Euro2024, presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka vizituar futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës që në ditën e tyre të parë të grumbullimit për t’u dhënë mbështetjen e parezervë të tij dhe të të gjithë federatës, në rrugëtimin drejt kualifikimit në Euro 2024.

Në fjalimin e mbajtur para futbollistëve, presidenti Ademi shfaqi besimin në këtë grup të lojtarëve duke thënë që me kualitetin që kanë ata, duhet të synojnë vendin e parë në grup.

“Po thuajse të gjithë ju, tashmë jeni në situata shumë stabile në klubet tuaja, keni kontrata të favorshme, shumica prej jush keni minuta të konsiderueshme në ekipet ku luani, prandaj kërkoj nga ju që gjatë vitit 2023, prioritetin ta keni te Kosova dhe që së bashku ta jetësojmë ëndrrën që e kemi që shumë kohë, e që është kualifikimi në Kampionatin Evropian”, ka thënë fillimisht Ademi.

“Ju tashmë keni edhe përvojën sepse jeni në një moshë të pjekur dhe keni rastin ideal për të arritur këtë qëllim që do të sjellte lumturi e krenari të pakrahasueshme tek gjithë populli ynë”.

“Keni kualitet, keni përvojë, keni nivel, ajo çfarë duhet të bëni është të angazhoheni maksimalisht, të mbështeteni në forcën e grupit, të tejkaloni interesat e ngushta personale dhe të fokusoheni tek suksesi ynë i përbashkët”, ka theksuar më tej Ademi.

FFK-ja dhe presidenti Ademi, po vazhdojnë të angazhohen për ta ngritur çdo herë e më shumë nivelin organizativ të Kombëtarës A dhe në këtë aspekt, sot ekipit i është bashkuar edhe një nutricionist anglez, që është pjesë e klubit të Arsenalit dhe që do të jetë me Kombëtaren tonë gjatë ditëve në vijim për të përmirësuar edhe më tej kujdesin e të ushqyerit të futbollistëve tanë.

/Telegrafi/

Read Previous

Filharmonia e Kosovës me paraqitje të mahnitshme në Lisbonë

Read Next

Kurti: Formulimi vetmenaxhim i komunitetit serb, i përket Konventës Kornizë për mbrojtjen e pakicave